Gara për kryetar të Prizrenit pritet të jetë tejet e fortë mes Vetëvendosjes, PDK-së dhe LDK-së.
VV e Kurtit ka kandiduar sërish me Mytaher Haskukën, LDK ka zyrtarizuar ushtarakun Anton Quni, kurse PDK, Shaqir Totajn, me të cilin kishte garuar edhe në zgjedhjet e kaluara lokale, AAK e Haradinaj ka garuar sërish me Lulzim Kabashin, kurse në garë është edhe Zafir Berisha i NISMA-s.
LDK shprehet e bindur se do ta rikthejë Prizrenin që e qeverisi menjëherë paslufte me Eqrem Kryeziun, kurse PDK poashtu e sheh ‘jetike’ marrjen e pushtetit në këtë komunë të cilin e qeverisi për dy mandate.
Kurse nëse Kurti nuk arrinë ta mbajë në udhëheqje Prizrenin do të konsiderohej një “shuplakë” e fortë për partinë e tij, pasi në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit arriti një rezultat briliant, duke marrë mbi 47% të votave të prizrenasve, duke lënë të dytën PDK-në me mbi 16%.
Duke ditur konkurrencën e madhe, nuk përjashtohet mundësia që kjo komunë të shkojë edhe në balotazh, dhe më pas të përcaktohet fituesi varësisht nga koalicionet që mund të bëhen.
Prizrenasit në pushtet kanë provuar, LDK-në, PDK-në dhe VV-në, por mbetet të shihet se cila do të jetë përzgjedhja e tyre më 17 tetor, dhe sigurisht përcaktuese mund të jetë edhe premtimet që bëjnë kandidatët për kryetar gjatë fushatës zgjedhore.
Rezultatet në 10 vitet e fundit në Prizren…
Në zgjedhjet e para të organizuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në vitin 2007, asnjëra nga partitë nuk kishte arritur ta fitojë në mandatin e pare.
LDK kishte dale e para me 29.13%, e dyta PDK me 27.57%, e treta AKR me 11.12%, VAKAT 7.40%, AAK më pas me 7.15%, KDTP 6.30%, Partia ORA 5.51%, Lidhja Demokratike e Dardanisë 3.97%, Balli Kombëtar 1.16% dhe i fundit kandidati i pavarur, Sakip Makasqi me 0.70%.
Por në raundin e dytë, PDK doli e para dhe kandidati i saj, Ramadan Muja, u zgjodh kryetar i Prizrenit pasi mori 52.83% të votave të qytetarëve, kurse kundërkandidati i tij, Eqrem Kryeziu nga LDK 47.17% të votave.
Një garë e ‘nxehtë’ mes PDK-së dhe LDK-së u zhvilluar edhe në zgjedhjet lokale të 2009-të.
PDK kandidoi sërish me Ramadan Mujën që doli i pari me 32.30% të votave, por nuk arriti të fitoi në raundin e pare. Pas tij u rendit, Hanefi Muharremi kandidat i LDK-së me 29.73%. Garën e balotazhit arriti ta fitojë Ramadan Muja i PDK-së që siguroi edhe mandatin e dytë si i pari i Prizrenit.
Duke pare suksesin në dy pale zgjedhjet e kaluara, PDK kandidoi sërish Ramadan Mujën në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Ai nuk e zhgënjeu partinë, pasi në raundin e pare doli fitues me 37.23%, duke lënë të dytin Eqrem Kryeziun e LDK-së që kishte fituar 25.36%, pastaj Zafir Berishen e NISMA-s me 12.91%, Lulzim Kabashin e AAK-LDD me 9.57%, Arbër Rexhajn e Vetëvendosjes me 6.70%, dhe kandidatë të tjerë që kishin përqindje edhe më të vogël.
Ramadan Muja në balotazh arriti të siguronte mandatin e tretë pasi kishte marrë 53.8% të votave të prizrenasve, duke mposhtur kundërkandidatin e tij nga LDK, Eqrem Kryeziu, që kishte marrë 46.2%.
Pas tre mandative, PDK humbi zgjedhjet lokale të 2017 tës në Prizren, dhe në pushtet erdhi Vetëvendosje.
Megjiathë PDK doli e para në raundin e pare në këtë komunë me kandidatin e saj, Shaqir Totaj, që mori 29.75% të votave, duke lënë pas Mytaher Haskukën e Vetëvendosjes me 22.41%, dhe të tretin Hatim Baxhakun e LDK-së me 19.54%, i pesti u rendit, Lulzim Kabashi i AAK-së me 8.70%, i gjashti Zafir Berisha i NISMA-s me 8.09% të votave, dhe partitë tjera më të vogla fituan përqindje më të ultë.
Në garën e balotazhit, NISMA me Zafir Berishen lidhën koalicion parazgejdhor me Vetëvendosjen dhe mbështetën kandidatin e saj për kryetar, Mytaher Haskuka. Ky bashkëpunim rezultoi i suksesshëm pasi që PDK humbi pushtetin pas tre mandatesh, dhe në pushtet në Prizren erdhi Vetëvendosje.
Në balotazh, Mytaher Haskuka mori 50.4% të votave dhe u bë kryetar i Prizrenit, pasi mposhti Shaqir Totajn e PDK-së që mori 49.6% të votave. /Reporteri.net/.