Zgjedhjet në BE, pengesë për dialogun dhe liberalizimin e vizave

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilat do të mbahen më 23 deri më 26 maj, pritet që ta zvarrisin procesin e heqjes së vizave dhe atë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas njohësve të çështjeve ndërkombëtare dhe integruese, për shkak të përbërjes së re në Bashkimin Evropian fokusi për heqjen e vizave do të bjerë.


Ata vlerësojnë se heqja e vizave për kosovarët nuk do të jetë në agjendë të BE-së të paktën deri në fund të këtij viti.

Mirëpo të njëjtën gjë nuk e thotë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili shprehet i bindur se liberalizimi do të ndodhë sivjet. Për këtë gjë kryeministri thotë se e ka përkrahjen edhe të shtetit gjerman dhe se pret që atë ta miratojë edhe Finlanda, shtet ky që në qershor do të marrë kryesimin e Presidencës së BE-së, shkruan”Zëri”.

“Kam ritheksuar se duhet të përshpejtohet hyrja në agjendë të BE-së çështja e liberalizimit të vizave, si një proces i pakthyeshëm, i merituar dhe i drejtë. Me qëndrimin e qartë të Gjermanisë jemi të bindur se edhe Finlanda do të jetë në krah të vendit tonë për ta përmbyllur këtë proces në afat optimal”, ka theksuar Haradinaj të mërkurën.

Mirëpo, zgjedhjet në BE përveç ndikimit në liberalizimin e vizave do ta influencojnë edhe procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për shkak të përfundimit të mandatit të përfaqësueses së lartë Frederica Mogherinit, e cila deri më tani e ka ndërmjetësuar këtë proces.