Si po e ndihmon prokuroria Vesel Veselin përmes “zhdukjës së telefonit”?!

Prokuroria në shkurt të këtij viti pati propozuar që polici Vesel Veseli të mbahej në burg për shkak se nëse i caktohej ndonjë masë tjetër ai mund të arratisej, të ndikonte te e dëmtuara, familja apo dëshmitarët e rastit. Një gjë e tillë ndryshoi dje kur i njëjti prokuror propozoi një masë më të lehtë për personin që dyshohet se abuzoi seksualisht me një të mitur. Vesel Veseli që nga arrestimi është munduar të humbë të gjitha gjurmët që mund ta mbajnë për vite prapa grilave. Për mënyrën se si kishte abuzuar me A.G nga Drenasi prokuroria provë kanë vetëm telefonin e viktimës.


Vesel Veseli, polici hetues nga komuna e Drenasit, u përfshi në njërin nga skandalet më të ndjeshme të viteve të fundit, ku për më shumë se një vit dyshohet se kishte shantazhuar, abuzuar seksualisht, e madje edhe e kishte detyruar të abortonte të miturën nga po e njëjta komunë A.G (emër i njohur për redaksinë).

Por, megjithatë, Vesel Veseli nuk iu është bindur urdhrave të organeve të rendit, e madje, nuk ka dorëzuar as telefonin që është provë kryesore e mënyrës se si ai kishte abuzuar me atëherë 16-vjeçaren.

Prokuroria Themelore në Prishtinë thonë se Vesel Veseli ka deklaruar se telefoni i tij është zhdukur në ditën kur edhe kishte ndodhur arrestimi. Prokuroria rrjedhimisht ka bërë të ditur për Gazetën Express se provat që dëshmojnë komunikimin e tyre e kontaktet që mund te jenë dëshmi kryesore për rastin janë marrë vetëm nga telefoni i të dëmtuarës. Ata as nuk e dinë se si është e mundur që një gjë e tillë të ndodhte, teksa shtohen se gjetja e atij telefoni nuk ka qenë e mundur.

“Me hulumtu e kemi hulumtuar në të gjitha mënyrat, po telefoni sipas tij është zhdukur në atë ditë, kemi pas telefonin e të dëmtuarës, të gjitha provat që na u kanë nevojite i kemi marrë prej saj”, ka bërë të ditur prokurori i rastit Ruhan Salihu.

Vesel Veseli ka dorëzuar një telefon tjetër te organet e rendit, në të cilat nuk kishte qasje në rrjete sociale. Rrjetet sociale ai tashmë i ka mbyllur të gjitha.

Telefoni i cili është dorëzuar nuk është i njëjti me të cilin ai kishte kontaktuar me të miturën, e mungesa e atij telefoni mund të mos sjellë prova të mjaftueshme për të zbuluar detaje konkrete që zbardhin rastin e 16-vjeçares.

Një kërkesë për gjetjen e provave që mund të sigurohen përmes telefonit me të cilën dyshohet se ka komunikuar Vesel Veseli me A.G është bërë edhe në Postën e Kosovës, por, që një gjë e tillë nuk ka sjellë rezultat.

Polici hetues nga Drenasi nuk është i vetmi i përfshirë në këtë rast. Përveç emrave që tashmë janë bërë publik (profesori, Shkëlzen Xhekaj, avokati, Gazmend Halilaj, e doktori Fehmi Ahmeti), prokuroria e IPK janë duke hetuar edhe disa policë të tjerë të përfshirë në rast, e nën dyshimet e njëjta. Dyshime ka se i përfshirë mund të jetë edhe një profesor i asaj komune.

Burime të mirë informuara në Prokurori kanë konfirmuar këtë për Gazetën Express, teksa në IPK po thonë se nuk mund të flasin për shkak të integritetit të procesit hetimor.

Me 21 shkurt të këtij viti, prokuroria pati propozuar paraburgim për Vesel Veselin, duke thënë se ai do të mund të arratisej nëse i caktohej ndonjë masë tjetër.

“I dyshuari mund të arratiset, të ndikojë në të dëmtuarën dhe familjarët e saj, pastaj edhe në dëshmitarët e mundshëm që janë në rast, të cilët as ata dhe as e dëmtuara ende nuk janë intervistuar në prokurori rreth këtij rasti. Si arsye tjetër për caktimin e masës së paraburgimit është edhe pesha e këtij rasti dhe mënyra e kryerjes së veprave penale, por edhe jehona e madhe mediatike, që është bërë në opinion lidhur me këtë rast”, kishte deklaruar prokurori i rastit Ruhan Salihu para gjykatës.

Por, ky qëndrim i tij ka ndryshuar, e tashmë i njëjti prokuror për Veselin ka propozuar një masë më të lehtë që mund të zgjasë deri në dy muaj, deri kur të ngritët aktakuza.

“Ne nuk kemi vendim nga Gjykata, propozimi ka shkuar nga prokuroria por ende nuk kemi njoftim a kanë vendos për po apo jo. Kemi vendosur sepse kemi vlerësuar se janë plotësuar të gjitha kushtet sipas dispozitave ligjore, janë të qarta, në çdo moment kur të pushojnë kushtet për të cilat është caktuar paraburgimi mund të ndër prehet ose të propozohet për zëvendësim”, ka bërë të ditur për Express, prokurori i rastit të njohur si “Rasti i Drenasit”, Ruhan Salihu.

“Propozimi është bërë për dy muaj, gjatë kësaj periudhe do të ngrihet aktakuzë e pas saj vendos gjykata”, tha Salihu. Sipas prokurorit nuk do të ketë ndonjë rrezik për vajzën pas ndryshimit të masës.

“Nuk ka rrezik sepse ata janë të vetëdijshëm. Ata nuk guxojnë me bo kurrfarë shkelje sa i përket urdhër-arrestit nëse ju caktohet”, thotë Salihu.

Vetë Vesel Veseli në deklaratën që ka dhënë para gjykatës kishte deklaruar se duhet t’i jepet një masë më e lehtë, sepse nuk do të largohej e as nuk do ikte.

“Nuk e kam trajtuar rastin, nuk kam dhënë kurrfarë kontributi për sa i përket rastit dhe natyra e rastit ka qenë që të trajtohet nga një zyrtar policor femër. Fakti që prokurori e përmend se kam shkuar të shkolla, e kam marrë numrin e telefonit, jam takuar me të dhe i kam bërë presion, nuk qëndron. Njoftimin e parë, që jam njoftuar me atë vajzë ka qenë fusha e futbollit, në fund të majit apo fillimi i qershorit, nuk e di saktësisht. Unë nuk i pranoj këto akuza, që i ka bërë prokurori dhe nuk qëndroj prapa tyre. Ju lutem që të ma caktoni një masë të butë. Unë as nuk do të ik, as nuk do të ndikoj dhe do të përgjigjem sa herë që kërkohet nga unë”, kishte deklaruar Vesel Veseli para gjykatës.

Polici hetues Vesel Veseli nga Drenasi dyshohet se për më shumë se 1 vit duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare ka abuzuar seksualisht me atëherë të miturën A.G duke e shantazhuar. Të njëjtën ai në janar të këtij viti e kishte detyruar edhe që të abortonte.