×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyra për çështje të kategorive të dala nga lufta mohon se lëshon certifikata për statusin e veteranit

    Reporteri
    11 Shtator 2019 | 14:46

    Drejtori i Zyrës për çështje të kategorive të dala nga lufta, Gazmend Syla, përmes një reagimi ka mohuar pohimet e OVL të UÇK-së, për vazhdim të dhënies së certifikatave për statusin e veteranëve të UÇK-së.


    “Zyra për çështjet e kategorive të dala nga lufta nuk ka të drejtë të lëshojë certifikata apo vërtetime, të cilat nuk janë në përputhje me klasifikimin e kryer nga Komisioni”, thuhet në reagimin, që po e sjellim të plotë në vazhdim.

    Duke u bazuar në ligj dhe rregullore, sqaroj si në vijim:

    “Është mandat i Komisionit që të konstatojë Statusin e dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së, veteranit, pjesëtarit të UÇK-së dhe të internuarit të UÇK-së.

    Përgjegjësitë e Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta janë të përcaktuara në nenin 17 të Ligjit nr. 04/L-054; dhe ajo nuk ka të drejtë të lëshojë certifikata apo vërtetime të cilat nuk janë në përputhje me klasifikimin e kryer nga Komisioni. Komisioni, pjesë e të cilit unë nuk kam qenë fare, nuk ka më mandat që nga janari 2017, ndërkohë që tërë arkivi gjendet në Prokurorinë e Shtetit për interes të hetimeve.

    Të vetmet certifikata që janë shtypur gjatë mandatit tonë janë ato të kategorive Veteran-Pjesëtar dhe Veteran-Pjesëmarrës, në bazë të listave emërore që i kemi nga Komisioni Qeveritar, si dhe certifikatat e humbura, dëmtuara apo ato me gabime teknike.

    Gjatë mandatit tim, si drejtor i ZÇKL, kam qenë shumë korrekt dhe bashkëpunues me Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së dhe kërkoj nga ta që të mos e përdorin situatën parazgjedhore, për të lëshuar komunikata me qëllime thjeshtë politike.

    Përkundër asaj që pretendohet, Zyra për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së ka bashkëpunuar ngushtë me organet e rendit dhe të drejtësisë për parandalimin dhe zbulimin e keqpërdorimeve të mundshme të statusit të Veteranit, Invalidit e Dëshmorit të UÇK-së. Kjo mbase i ka penguar dikujt. Shpresojmë që jo Shoqatave”, përfundon reagimi. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!