×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyrtare: Uran Ismaili dëshiron të bëhet kryetar i PDK-së

    Reporteri
    06 Maj 2019 | 16:19

    Uran Ismaili që është ministër i Shëndetësisë, ka njoftuar se ka shpallur kandidaturën për kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë, shkruan Reporteri.net.


    Ai thotë se është koha që vizioni për një Prishtinë funksionale të bëhet realitet.

    “Pas një pune të madhe lagje për lagje dhe fshat për fshat, sot edhe zyrtarisht dorëzova kandidaturën time për Kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë. Duke synuar një Prishtinë më të mirë, kam vendosur që angazhimin tim politik e partiak ta përqendroj në qytetin tim. Energjinë e Dekadës së Re synoj ta shndërroj në një forcë që e transformon marrëdhënien mes PDK-së dhe Prishtinës, që PDK-së i jep një identitet të ri, kurse Prishtinës vëmendjen që e meriton. Prishtina nuk duhet të jetë vetëm kryeqytet ku përqendrohet jeta politike e Republikës, por edhe qytet i jetueshëm për qytetarët e saj. Përvojat tona negative me qeverisjet e kaluara le t’i përkthejmë në përpjekje të përbashkët pozitive për Prishtinën tonë! Është koha që vizioni për një Prishtinë funksionale të bëhet realitet!”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

    Ai javë më parë i pyetur nëse ka ambicie që të garon për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e ardhshme lokale nuk ka dhënë një përgjigje të prerë.

    “Jam asamblist këtu. Jetoj këtu, punoj dhe çdo gjë e lidhi me Prishtinën. Për mua është nder të jem kandidat për kryetar të Prishtinës. S’po them që kam ambicie për kryetar. Prishtina ka një kapacitet e talent më të madh se që po e ekzekuton sot. Prishtina është atraktive për çdo qytetar të Kosovës. Kjo tregon për pozitën e lakmueshme të Prishtinës. Në anën tjetër, e sheh një qytet që nuk i plotëson potencialet e një talenti”, ka deklaruar Ismaili. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!