×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyrtari i LDK-së gëzohet që Albin Kurti e përkujtoi Fehmi Aganin, ja përmend edhe Rugovën

    Reporteri
    06 Maj 2019 | 21:52

    Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, njëherit ish-zv.ministër dhe ish-këshilltar i Isa Mustafës e ka quajtur për lëvdatë përkujtimin që kreu  i Vetëvendosjes, Albin Kurti, bëri për veprimtarin Fehmi Agani në 20 vjetorin e vrasjes së tij nga forcat serbe.


    Gecaj përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ky hap i kurtit lë të shpresohet për një transformim pozitiv të Kurtit.

    “Albin Kurti paska përkujtuar sot Dr. Fehmi Aganin. Një gjest ky për lëvdatë që lë të shpresohet për një transformim pozitiv dhe edhe për përsëritje të gjesteve tjera të tilla! Dr. Fehmi Agani dhe Dr. Ibrahim Rugova ishin një binom i pandashëm i lëvizjes sonë për LIRI, PAVARESI e DEMOKRACI!”, ka shkruar Gecaj.

    Kujtojmë se lideri i VV-së asnjëherë nuk e ka përkujtuar e as nuk ka shkruar te varri i Presidentit Rugova.

    Më poshtë gjeni postimin e Kurtit të bërë me rastin e 20 vjetorit të vrasjes së Aganit:

    Në 20 vjetorin e vrasjes mizore të Prof. Fehmi Aganit

    Akademik Fehmi Agani ishte intelektual delikat dhe profesor i afërt, dashamirës i dijes, mësimit dhe studimit, njeri paqësor e përparimtar.

    Formimi i tij ishte kryesisht humanist e social. Angazhimin e vet politik e shihte më shumë të imponuar nga koha dhe rrethanat sesa pasion karakteri apo prirje profesioni.

    Vrasja e tij ishte ekzekutim kriminal i Serbisë dhe humbje e madhe për Kosovën. Injorimi i institucioneve të Kosovës për të zbardhur të vërtetën dhe për të sjellur drejtësinë për të, është i pafalshëm.

    Kam marrë pjesë në një takim me Prof. Aganin në verën e vitit 1997 kur ai ishte nënkryetar i LDK-së e unë përfaqësues studentor në përgatitje të protestave paqësore.

    Po ashtu, kemi qenë bashkë në takim me ish ministrin e jashtëm gjerman Klaus Kinkel si dhe njëherë kemi udhëtuar bashkë teksa ktheheshim në Prishtinë pas vizitës në Ambasadën e Britanisë së Madhe në Beograd ku ishim takuar me z. Tony Lloyd, Ministër i Shtetit në Foreign and Commonwealth Office (FCO).

    Prof. Agani argumentonte drejt dhe përshkruante saktë gjendjen e rëndë të popullit shqiptar në Kosovën e okupuar. Me durimin që ishte vëmendje dhe me qetësinë që ishte urtësi arsyetonte bindshëm. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!