×
  • Extra
  • Lista

    Shtatë hapa të rëndësishëm për të krijuar markën tuaj personale

    Reporteri
    01 Korrik 2020 | 10:01

    Të paturit e një marke të fuqishme, identifikuese dhe personale nuk është një gjë që u përket po themi atyre që njihen si influencues apo kompanive milionadollarëshe.


    Nëse mendoni se jeni në kërkim të një pune më të mirë, nëse doni të keni klientë rinj dhe të njiheni dhe identifikoheni përmes diçkaje tuajën, mund ta bëni.

    Duke krijuar një tablo të përgjithshme të aftësive tuaja dhe mënyrës sesi i sheh bota ato, mund të krijoni një markë personale, transmeton Telegrafi.

    Në vijim gjeni një udhëzues me shtatë hapa, që i referohen një liste të përpiluar nga Forbes.

    1) Krijoni vizionin e markës

    Duhet të krijoni në kokë një vizion të markës suaj, të përfytyroni në kohën e tashme, a thua se e keni realizuar tashmë. Një vizion i asaj që doni të bëni ju ndihmon që të zhvendoseni me vetëdije nga “ku jeni” në “ku do të shkoni”.

    Një formulë klasike që shërben për të kuptuar se çfarë mund të bëni më mirë është t’i përgjigjeni pyetjes: “Unë ndihmoj___për___”. Të drejtuarit e diçkaje fillon duke gjetur “psenë” tuaj. Autori Simon Sineak thotë se “njerëzit nuk blejnë atë që bëni ju; ata blejnë pse ju e bëni”.

    2) Vendosni se për çfarë doni të njiheni

    Nëse do të bëheshit të njohur në një fushë të caktuar, cila do të ishte? Mënyra e vetme për të krijuar një markë personale dhe të fuqishme është të bësh atë që di të bësh më mirë në një fushë të caktuar.

    Hulumtoni konkurrencën në treg dhe përcaktoni se çfarë ju dallon, çfarë bëni ju më mirë. Çfarë ju bën unikë? Shfrytëzoni talentin dhe dilni nga turma. Marka është pasqyrim i pasioneve, aftësive, vlerave dhe besimeve. Tuaja.

    3) Përcaktoni audiencën

    Një ndër gabimet që mund të bëni është të përpiqeni të krijoni diçka që i përfshin të gjithë. Mund të ndodhë që një shërbim/produkt të jetë për të gjithë, por jo gjithmonë. Caktoni se kujt doni t’i shërbeni.

    Një markë e suksesshme fillon me “kush jeni, çfarë po kërkoni” për të kuptuar se si mund të pozicionoheni në treg.

    4) Ndërtoni një mesazh të qëndrueshëm

    Vendosni për një mesazh që ju përfaqëson dhe vendoseni në të gjitha kanalet e komunikimit.

    Të qenurit të qëndrueshëm sjell besueshmëri. Të gjeni çfarë ju përfaqëson dhe t’i qëndroni besnik është shumë e rëndësishme për krijimin e një marke.

    5) Qëndroni autentikë

    A e dini çfarë ju dallon ose ju identifikon? Përpiquni ta përcaktoni dhe “përqafojeni” veçantinë tuaj.

    6) Krijoni faqe në internet

    Të paturit një faqe në internet është thelbësore në ditët e sotme, pa marrë parasysh se kush jeni dhe çfarë po bëni. Ka pafund platforma që ju lehtësojnë punën në këtë pikë, shkruan Anabel.

    Krijimi i një faqeje të caktuar nuk është punë e lehtë, por patjetër që është reflektim i asaj që jeni.

    7) Kushtojini rëndësi rrjeteve sociale

    Në ditët e sotme, nuk është e lehtë që të kesh një markë bindëse, që nuk rezulton kurrkund në internet.

    Pas faqes, krijoni profilet përkatëse në LinkedIn, Twitter, Facebook, Instagram dhe kanale të tjera, në varësi të markës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!