Një Gjykatë aspak speciale!

Autor: Anisa Bahiti


Në fillim të kësaj jave Gjykata Speciale e Kosovës në bazë të urdhrit të Prokurorisë së Posaçme, kreu arrestimet e para. Arrestimi i parë ishte një ish- komandant i UÇK-së dhe njëherësh ish- oficer i TMK. Ai ishte marrë më herët në pyetje nga Prokuroria dhe në bazë të kodit të Procedurës u arrestua dhe u dërgua në Hagë.


Deri këtu procesi është i rregullt dhe i pakontestueshëm, pasi kjo Gjykatë e Posaçme është ngritur 5 vjet më parë me votën e parlamentit të Kosovës. Por ajo që ndodhi pas këtij arrestimi ishte e turpshme dhe aspak profesionale.

Forca speciale policie mësynë në mes të ditës në zyrat e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së në Prishtinë dhe në fillim arrestuan Hysni Gucatin, kryetarin dhe më pas Nasim Haradinajn, nënkryetarin e kësaj organizate.

Akuza duke pritur në fillim kasetat me dosje dhe pastaj duke shpërndarë për publikun emrat e dëshmitarëve të Prokurorisë së Posaçme, ata i janë kundërvënë drejtësisë. Le ta zemë për një moment se kjo akuzë për një moment mund të jetë e vërtetë, atëherë lindin 3 pyetje:

E para, a e ishte e nevojeshme që këto 2 urdhër arreste të realizoheshin me aq bujë dhe aq spektakël para kamerave të TV?

E dyta, krimet e pretenduara a ishin individuale apo krime në grup të një Organizate siç është OVL? Nëse janë individuale siç janë konfirmuar nga akuzat në Hagë, a duhet të realizoheshin në banesat e tyre si çdo qytetar tjetër apo në zyrat e organizatës, duke lënë idenë se me këtë rast po i lajmë duart edhe me të vetmen organizatë të mirëfilltë që mbetet nga UÇK?

E treta, dhe me e rëndësishmja, një Gjykatë dhe një Prokurori aq më tepër e posaçme, a duhet te jetë tërësisht e pavarur dhe profesionale, apo duhet të hyjë edhe ajo në gjykime dhe arsyetime politike?

Gjykata dhe Prokuroria e Posaçme duhet ta ketë tepër të qartë që, për UÇK çdo pretendim apo dosje e cila krijohet ose është fabrikuar në Serbi, është një pretendim politik i Serbisë ndaj UÇK, të cilën që në krye të herës e ka quajtur organizatë terroriste. Ndaj është dashur krijimi i një Prokurorie dhe Gjykate të Posaçme e cila të jetë tërësisht e paanshme dhe të kryejë hetim dhe gjykim në bazë të fakteve dhe jo bindjeve dhe opinioneve politike. Ato qëndrime të krerëve të OVL, sado ekstreme të duken, prapë në thelb janë opinione politike.

Në ditët dhe javët e ardhshme Gjykata e Posaçme do të duhet të konfirmojë akuzat ndaj personazheve të tjerë publik e pastaj më pak publik në Kosovë, por nëse edhe në vazhdim sjellja dhe qasja do të jetë si ajo e këtyre ditëve, ajo do të jetë një Gjykatë më shumë në historinë e gjatë dhe të mundimshme të Kosovës, por një Gjykatë aspak speciale e aq më pak s’do të ngjajë me një Gjykatë Evropiane që bazohet mbi të drejtat dhe mbi parimet.