Pse izraelitët janë popull i menҫur?

Autor: Esheref Haxhiu


Me rastin e përafrimit politik të Kosovës me Izraelin!


Izraelitët i kanë ofruar botës më shumë shkencëtarë dhe më shumë shpikje se sa cilido popull tjetër në botë. Ndërkaq, Judaizmi është një prej religjoneve të para monoteiste në botë. Deri para 3 mijë viteve, njerëzit besonin në diell, në hënë, në varret e stërgjyshërve të tyre, apo edhe tek një grup i zotrave që jetonin në Olimp. Izraelitët ishin të parët që filluan të besonin në një Zot të vetëm. Thuajse të gjithë të dërguarit e Zotit, përfshirë edhe vet Jezu Krishtin, përveҫ Pejgamberit Muhamed, kanë qenë hebrenj. Narracioni i fesë së tyre, ndër tjerash, postulon afërsinë e veҫuar të izraeliteve me Zotin. Duke qenë të zgjedhurit e Zotit, ata natyrshëm se janë edhe më të menҫur. Por, a është kjo arsyeja pse izraelitët janë më të menҫur dhe që i kanë ofruar njerëzimit më shumë shkencëtarë dhe më shumë shpikje se sa cilido popull tjetër në botë? Në botkuptimin tim, sigurisht që jo.

Izraelitët nuk janë të vetmit që bësojnë se janë të zgjedhurit e Zotit. Njëjtë besojnë edhe serbët. Elementi kyҫ i mitit Serb për Kosovën është marrëveshja e Car Lazarit me Zotin për të dhënë mbretërinë e tokës (Kosovën) në favor të mbretërisë së qiellit (parajsën). Por, ka një dallim thelbësorë në mes të serbeve dhe izraeliteve sa i përket besimit të tyre për të qenë më afër Zotit. Përderisa serbët besojnë se afërsia e tyre me Zotin është e garantuar pasi që ata e humbën Betejën e Kosovës (1389), izraelitët besojnë se afërsia me Zotin kalon nëpërmjet rrugës së dijes. Pra, sa më shumë që lexon, mëson dhe din, aq më afër Zotit do të jesh. Këtë lloj besimi izraelitët e kanë kultivuar për 3 mijë vite me radhë.

Në lidhje me këtë, studimet më të reja në fushën e epigjenetikës tregojnë se përvojat e baballarëve, gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë barten drejtpërdrejtë tek ne. P.sh. studimet konfirmojnë se traumat e të mbijetuarve të holokaustit janë bartur edhe tek mbesat dhe nipat e të mbijetuarve. Rrjedhimisht, nëse një popull i vogël, për 3 mijë vite me radhë ka besuar se dija të ofron me Zotin, kjo përvojë 3 mijë vjeҫare është transmetuar tek gjeneratat e reja edhe në formën gjenetike edhe në ata kulturore. Si rezultat i kësaj, edhe nëse e përjashtojmë aspektin dogmatik të fesë në lidhje me afërsinë e hebrenjve me Zotin, vetëm nëpërmjet prizmit shkencor mund të postulojmë që izrealitët kanë një avantazh në dije në raport me të tjerët.

Për të mbështetur edhe më shumë konstatimet e mësipërme, ashtu siҫ e shpjegon edhe sociologu gjerman Max Weber, nuk është fare e rastësishme që revolucioni industrial dhe vet kapitalizmi ka lindur dhe është zhvilluar në vendet ku dominon feja protestante. Për shkak se, për dallim nga izraelitët që besojnë se tek Zoti ofrohemi nëpërmjet dijes, protestantët besojnë se tek Zoti ofrohemi nëpërmjet punës.

Por, ҫka besojmë ne shqiptarët?

Për shkak të rrjedhave të caktuara historike, shkolla e parë shqipe nuk është më e vjetër se 130 vite. Në fshatin prej nga vij unë, shkolla e parë është ndërtuar në mes të luftës së parë dhe të dytë botërore. Thuhet se kjo shkollë fillimisht kishte qenë e destinuar për një fshat tjetër më të madh në Rahovec, fshatin Ratkoc, prej edhe nga vijnë kryetari aktual i Rahovecit dhe kryeministri aktual i Kosovës. Por, në atë kohë, burrat e këtij fshati kishin refuzuar ndërtimin e shkollës. Në atë kohë besohej që shkolla e prish rininë!