Zeusi bie nga Olimpi apo mirë se vini në epokën e dialogut të udhëhequr nga Kryeministri Kurti

Autor: Mirlind Behluli


Karrierën prej aktivisti politik e filloi sa ishte student. Vetëm dy vite pas protestës studentore të 1997, Albin Kurti, kryeministër aktual i Kosovës, do ta vazhdonte aktivizmin politik në Zyrën e Përfaqësuesit të UÇK-së, Adem Demaçi, nga i cili pozicion e kundërshtoi procesin negociator të Rambujesë. Që nga atëherë, karriera e tij politike do të shënohej kryesisht si aktivitet në kundërshtim të negociatave me Serbinë e ‘luftë’ kundër misioneve të huaja si UNMIK e EULEX dhe përplasje me elitat politike vendore. Por e martja e qershorit të 2021 do ta zbardhë Kurtin në ‘krevatin’ e dialogut pasi që në Bruksel do ta realizojë takimin e parë me Aleksandër Vuçiqin, president i Serbisë.


Ishte viti 2005, kur Albin Kurti me disa aktivistë të tjerë do ta themelonte Lëvizjen Vetëvendosje si organizatë e ‘njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen’. E gjithë raison d’etre e ndërmarrjes politike do të shpjegohej në vet sloganin e Lëvizjes: Jo negociata, Vetëvendosje! Kryefjala e historisë politike të sot partisë qeverisëse të vendit është kundërshtimi i negociatave.

Sa ishte aktivist i shoqërisë civile, Kurti dhe të tjerët duke e udhëhequr VV-në do të organizonin protesta kundër ekipit negociator, do të shkruanin kundër negociatave si “institucionalizim të mohimit të vullnetit të popullit” e do të angazhoheshin në debat publik kundër negociatave për statusin final të Kosovës.

Për gati një dekadë, parulla politike “jo negociata, vetëvendosje” do të shndërrohej në maksimë të Vetëvendosjes në kërkim të së drejtës për vetëvendosje të popullit të Kosovës. Dhjetëra protesta, shpesh të shtypura dhunshëm nga policia ndërkombëtare e lokale, do të organizoheshin në kundërshtim të dialogut me Serbinë.

Përveç ekipit të unitetit, Kurti doli edhe kundër produktin përfundimtar të procesit të Vjenës që ishte përkufizuar si propozim gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit final të Kosovës e njohur gjerësisht si Pakoja e Ahtisarit, të cilën e refuzoi Serbia. Si produkt i negocimit të udhëhequr nga ndërkombëtarët, Kurti e cilësonte si pako që ‘gjymton sovranitetin’ e që nuk e sjell pavarësinë.

E kur pas opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë, Kosova e filloi procesin e dialogut me Serbinë, Kurti mbeti i njëjti: kundërshtar i çfarëdo negocimi.

Ani pse në vitin 2010 VV u shndërrua në parti politike nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje, Kurti vazhdoi me të vjetrën. Në Kuvend, ndonëse kishte pak deputetë, mbeti zë i vetmuar kundër dialogut.

Hapi i parë i ndryshimit në qëndrim për e rreth dialogut erdhi në vitin 2014, kur Kurti me VV-në e tij anoi ka blloku VLAN duke kërkuar udhëheqjen e dialogut në marrëveshjen e partive atëbotë humbëse të zgjedhjeve të përgjithshme. Dështimi i VLAN-it i riktheu Kurtit retorikën e ashpër kundër pozitës për dialogun. Por me një dallim jo fortë të vogël.

Tashmë Kurti nuk po kundërshtonte dialogun per se, por mënyrën se si bëhej e qasjen që ndiqte pushteti i kohës. Kurti më s’po kërkonte ndërprerjen e negociatave, por parime negociuese, plan e strategji përgjatë dialogut. Në narrativen e Kurtit kishte parakushte për dialog: kërkim falja, kthimi i të pagjeturve e pagesa e dëmeve të luftës. Ndërmjet viteve 2015-2018 Kurti kundërshtoi marrëveshjen e Asociacionit që derivoi nga Marrëveshja e Brukselit.

Në vitin 2020 kur për herë të parë e shijoi pushtetin, Kurti ia pa sherrin dialogut e posaçërisht trysnisë së Shteteve të Bashkaura të Amerikës që kërkonin arritjen e shpejtë të një marrëveshje me Serbinë.

Një vit pas rrëzimit të qeverisë së tij, lider i VV-së e rimori timonin e ekzekutivit duke theksuar se dialogu nuk është top prioritet i tij. Por mjaftuan më pak se 100 ditë që dialogu të shndërrohej në krye-prioritetin e qeverisë Kurti II.

Sidoqoftë, Kryeministri Kurti nesër do ta takojë Presidentin Vuçiq. Pa parakushte. Pa platformë.

E martja e 15 qershorit do të shënon kapërcimin e madh të Kurtit, nga një rebel anti-negociatave në një politikan të zakonshëm kosovar që dialogon.

Që nga nesër Kurti më s’do të jetë jashtë dhe kundër dialogut, por brenda tij. Duke qenë brenda dialogut, ai do të jetë si të gjithë politikanët e universit kosovar: negociator. Nesër në Bruksel, edhe ai do ta shijojë ‘mollën e ndaluar’ duke u bërë udhëheqësi i ardhshëm i Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Nga parulla e famshme “jo negociata, vetëvendosje” si duket ka mbetur vetëm pjesa e parë, ajo e negociatave (me shënjim pozitiv).

Megjithatë një gjë është e sigurt: ‘Zeusi’ i idesë kundër negociatave ka zbritur nga Olimpi.