×
  • Prospect
  • Opinione

    Ukraina ka të drejtë morale të vendos për fatin e vet

    Reporteri
    23 Shtator 2022 | 16:49

    Autor: Jullian Baggini, Prospect


    Derisa lufta në Ukrainë zvarritet në masë të madhe, duket që do të ketë presion në rritje nga disa aleatë të Volodymyr Zelensky-t që ky i fundit të kërkojë paqe. Do të ketë debat të madh nëse kjo gjë është kurs veprimi i mençur. Por, ka edhe një tjetër çështje morale që ngritet nga çfarëdo përpjekje për të nxjerrë maksimumin: a kanë të drejtë furnizuesit me armë dhe ndihmë të Ukrainës të mbështeten në këtë gjë për të ndryshuar politikën?

    Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, duhet të konsiderojmë çështje më të gjera morale rreth kushtëzimit të ndihmesës. Intuitat dallojnë në këtë, varësisht nga konteksti. Kështu, për shembull, shumica e njerëzve do të mendonin se është gjë groteske të nxjerrni një njeri që po fundoset në det vetëm nëse ai pajtohet që t’ua punojë kopshtin çdo javë pa pagesë. Por, nuk duket e paarsyeshme ta mbështesni përmes rehabilitimit me kushtin që ai të qëndrojë larg ndikimeve të këqija më pastaj. Dhe, as nuk është e detyrueshme të ofroni ndihmë të jashtme me kushtin që ato të shpenzohen në mënyrë të drejtë dhe pa diskriminim në baza gjinore, seksualiteti ose etnie.

    Ekziston një set parimesh pak a shumë konsistente rreth këtyre gjykimeve të ndryshme. E para dhe më e rëndishmja, ndihma emergjente nuk duhet të përfshirjë diçka quid pro quo (si kompenzim, diçka për diçka; këtë për këtë). Dinjiteti themelor njerëzor na kërkon që të mos bëhet pazar me çështje ndihme të ndjeshmërisë së jetë-a-vdekjes. Kur dikush është i dëshpëruar, nuk është e arsyeshme të saktësohen kushtëzime për shkak të asimetrisë së madhe të bilancit të pushtetit. Nëse unë po mbytem, një shpëtues potencial mund të më kërkojë gati se gjithçka dhe mua më duhet të pajtohem.

    Në ndonjë krizë më pak urgjente, një nivel kushtëzimi është i drejtë sa për t’u siguruar që ndihma të do të përdoret sipas qëllimeve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur ka një shpajtim potencial mes vlerave të ndihmuesit dhe përfituesit përfundimtar ose një ndërmjetësuesi, siç është bamirësia. Për shembull, disa njerëz shqetësohen me të drejtë rreth dhënies së parave për bamirësi të udhëhequra nga grupe fetare ngase kanë frikë se ato para përdoren për evangjelizime. Shumë bamirësi të këtilla mund të na e konfirmojnë këtë, disa bamirësi donacionet i shpenzojnë në bibla e pastorë, e kështu me rradhë. Edhe në një thirrje krize, është e pranueshme për donatorë që të duan që paratë e tyre të shkojnë te nevojlitë, e jo në tekste fetare, dhe presin që bamirësit të respektojnë këtë zgjedhje.

    Njerëzit duhet të jenë në gjendje të pranojnë këto kushtëzime në njohjen/pranimin e kostove të kohës dhe resurseve të donatorit. Kur jepet ndihmë pa pritshmëri kthimi, ne ende ua kemi borxh dhuruesve që ndihmën e tyre ta përdorim në mënyrë të duhur. Kjo është arsyeja pse nëse unë sponsorizoj udhëtimin tuaj, është kusht i drejtë që paratë të shkojnë për bamirësinë për të cilën po mbledhni fonde dhe jo për ju që të shijoni pushimet e jetës. Respekti themelor kërkon të paktën këtë.

    Nganjëherë është plotësisht e arsyeshme që ofertën për ndihmë ta kushtëzoni në ideale tejet specifike. Disa bursa, për shembull, bëhen të mundshme për njerëzit në disavantazh, për disa subjekte të caktuara, me kushtin që ata të punojnë për sponzorizimin e organizatës për një numër vitesh pas kualifikimit. Dhuruesit (benefaktorët) e një muzeu ose galerie mund të specifikojnë se çfarë lloj veprash mund të blihen, dhe madje edhe të vënë emrin e tyre në ndërtesë. Në këso rastesh, sidoqoftë, ndihma e ofruar është krejtësisht diskrecionale, dhe madje recipientët (pranuesit) mund të zgjedhin a ta marrin ose jo. Bilanci i pushtetit është i atillë që askush nuk detyrohet të bëjë atë që s’është i lumtur ta bëjë.

    Pra, nëse përfituesit kanë të drejtë të vendosin kushte për mbështetjen e tyre nuk është çështje e thjeshtë e së drejtës apo e gabuarës. Përkundrazi, ajo pasqyron natyrën e vërtetë dhe motivimin e asaj mbështetjeje. Kur ndihma nuk është dashamirësi e pastër dhe ofrohet të paktën pjesërisht për shkak se i çon përpara objektivat e dhënësit, duhet të bëhet e qartë se individi po ndihmohet si mjet për një qëllim dhe jo vetëm për mirëqenien e tij. Edhe nëse qëllimet janë fisnike, ato janë të donatorit, jo të marrësit/pranuesit.

    Ku përshtatet ndihma perëndimore për Ukrainën në këtë? Nëse supozohet se motivohet nga parimi moral që Ukraina ka të drejtë të mbrohet, kushtet e vetme të arsyeshme janë që paratë të mos mirren nga zyrtarë të korruptuar dhe që vendi të luftojë luftën sipas ligjit ndërkombëtar. Nuk u takon dhuruesve të ndihmës që t’i tregojnë Ukrainës se çfarë lloj zgjidhjeje ajo duhet të pranojë. Miqtë mund të ofrojnë këshilla, por nuk duhet të diktojnë.

    Por, solidariteti nuk është motivi i vetëm. Shumë vende mendojnë se stabiliteti dhe paqja në Evropë kërkojnë që të kontrollohet agresioni i Putinit, por jo që integriteti territorial i Ukrainës të ruhet plotësisht. Një realpolitikë e tillë nënkupton se Ukraina po ndihmohet për të çuar përpara interesat e rajonit më të gjerë. Nëse ndihma ndalonte së bëri këtë, arsyetimi i saj do të zhdukej. Udhëheqësit e kombeve, ndihma e të cilëve është e motivuar nga një interes i tillë i ndritur vetjak, duhet të jenë mjaft të sinqertë për ta thënë këtë, dhe jo të pretendojnë se po veprojnë nga dhembshuria e pastër.

    Dallimi midis ndihmës thjesht parimore dhe instrumentale është i qartë në abstrakt, por i paqartë në praktikë. Pak vende janë kaq fisnikërore sa të mbështesin Ukrainën tërësisht jashtë parimit, dhe pak vende janë aq pa parime sa ta shohin situatën vetëm në aspektin e lojës së pushtetit gjeopolitik. Gjatë muajve të ardhshëm, nëse jo viteve, ekuilibri midis këtyre motivimeve do të testohet. Do të mësojmë se sa nga mbështetja që i është ofruar Ukrainës është në mbrojtje të lirisë dhe sa në mbrojtje të interesit vetjak kombëtar. Nëse vendet donatore i bëjnë presion Ukrainës që të devijojë nga rruga e saj e zgjedhur, do të jetë një tregues i mirë se ku qëndron ai ekuilibër.

    Teksti është përkthyer në shqip nga gazeta online Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    Prospect

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!