×
  • Lajme
  • Mjekësi
  • Lajme

    Dështon ardhja e mjekëve turq në Spitalin Kavaja, dyshohet se ata s’kishin licencë nga MSH

    Reporteri
    05 Dhjetor 2022 | 19:34

    Ka dështuar ardhja e dy mjekëve turq për ekzaminimin e fëmijëve në Spitalin Kavaja në Prishtinë. Ata dyshohet se s’kishin licencë nga Ministria e Shëndetësisë, për çka edhe u inspektua spitali nga Inspektorati Shëndetësor.

    Dy mjekë nga Turqia kishin planifikuar që të vinin për konsulta me pacientë fëmijë në Spitalin Kavaja në Prishtinë. Së paku kështu thuhej në një njoftim të publikuar nga një spital ortopedik në Stamboll, shkruan Gazeta Shneta.

    “Dr. Hilmi Karadeniz dhe Dr. Ahmet Dogan do të kryejnë ekzaminime falas tek fëmijët më datën 2 dhjetor në Spitalin Kavaja në Kosovë”, thuhej në njoftimin e ICOS.

    Por ardhja e tyre ka dështuar pasi dyshohet se mjekët nuk ishin licencuar nga Ministria e Shëndetësisë. Anulimin e ardhjes së mjekëve e kanë konfirmuar nga spitali Kavaja, por të njëjtit kanë deklaruar se mjekët kishin planifikuar të vitnin për organizimin e një konference.

    “Jo nuk eshte e vertete paskeni informacion te gabuar ,kane pas me ardhe per organizim te nje konference dhe takim me koleget tone ortoped por per shkake te pamundesise me ardhe nuk kane mundur te vijnë”, thuhet në përgjigjen e spitalit.

    Mjekët nga Turqia nuk shkuan në Kavaja, por inspektorët e Inspektoratit Shëndetësor po. Ata zbarkuan në këtë spital me dyshimin se mjekët që planifikohej të vinin, nuk ishin të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.

    Megjithatë sipas një përgjigje nga MSH, inspektorët nuk gjetën asgjë në spital ndërsa kanë marr disa kopje të regjistrit të pacientëve për t’i kontrolluar edhe një herë.

    “Bazuar në informatat e inspektorëve të rastit, inspektorët shëndetësorë kanë verifikuar hapësirat e spitalit, dokumentacionin shëndetësor dhe në këtë rast kanë konstatuar se dy profesionistet shëndetësorë në fjalë nuk figurojnë që të kenë ofruar shërbim shëndetësorë në këtë institucion shëndetësor. Po ashtu inspektorët shëndetësor kanë marrë deklaratë me shkrim nga menaxheri i këtij institucioni shëndetësor nëse është ofruar shërbim shëndetësor apo jo, dhe i njëjti ka deklaruar se nuk ka pasur dhe nuk ka ofruar shërbim shëndetësor asnjë profesionist shëndetësor jo kosovar në institucionin e tyre. Lidhur me këtë inspektorët shëndetësorë kanë marrë kopjet e regjistrit të pacienteve të sallës, recepsionit dhe ortopedisë për verifikim”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

    Kjo nuk është hera e parë që mjekë të huaj vijnë në Kosovë për të mbajtur konsulta apo ekzaminime tek pacientët, pa marr licencë nga Ministria e Shëndetësisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!