×
  • Mjekësi
  • Mjekësi

    Të hënën nis vaksinimi kundër gripit sezonal në Kosovë

    Reporteri
    26 Tetor 2022 | 17:43

    Ministria e Shëndetësisë, ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal si dhe marrin dozën përforcuese kundër COVID-19.

    Përmes një komunikate për media, Ministria ka thënë se vaksinimi kundër grupit sezonal do të fillojë nga 31 tetori.

    “Ministria e Shëndetësisë njofton qytetarët se vaksinat kundër gripit sezonal kanë arritur në Kosovë dhe duke filluar nga dita e hënë, do të filloj vaksinimi i qytetarëve”.

    Vaksinimi kundër gripit sezonal do të mund të bëhet çdo ditë në qendrat kryesore të Mjekësisë Familjare në çdo komunë.

    “Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u bëjnë thirrje qytetarëve, sidomos personave më të moshuar dhe personave me sëmundje kronike, që të vaksinohen për t’u mbrojtur nga gripi sezonal”, thuhet në njoftim.

    Gjatë ditës së martë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka alarmuar për variante të reja të COVID-19 që janë duke u shfaqur në vende të ndryshme të botës.

    Sipas apelit të IKSHPK-së, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka thënë se këto variante mund të rrisin numrin e rasteve në javët dhe muajt e ardhshëm në rajonin e Evropës.

    “Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia ende nuk ka mbaruar. Sipas vlerësimit të fundit në SHBA, del se BQ.1 dhe BQ.1.1 janë të lidhur ngushtë dhe përbëjnë 16.6% të varianteve të koronavirusit në vend, vlerë kjo e cila gati është dyfishuar nga java e kaluar, përderisa Evropa pret që ato të bëhen variantet dominuese brenda muajit të ardhshëm”, thuhet në njoftim.

    Sipas IKSHPK-së, këto variante janë pasardhës të nënvariantit BA.5 të Omicronit, i cili është forma dominuese e COVID-19 në Shtetet e Bashkuara.

    Rregullatorët në Evropë dhe SHBA kanë rekomanduar kohët e fundit dozat përforcuese të vaksinave.

    OBSH-ja këtë javë kishte apeluar se BQ.1.1 është duke qarkulluar në të paktën 29 vende.

    “IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, vijon apeli i IKSHPK-së.

    Aktualisht, Kosova ka regjistruar numër të vogël të rasteve pozitive me COVID-19 ditëve të fundit, numri i rasteve aktive është vetëm 21.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!