×
  • Show Time
  • Show Time

    I skadoi kontrata me RTK-në, seriali “Çka ka Shpija” pas 8 sezoneve përfundon së transmetuari në televizionin publik

    Reporteri
    18 Janar 2022 | 18:37

    Pas tetë sezonesh transmetimi në RTK, javë më parë, ka përfunduar kontrata vjetore e televizionit publik me prodhuesit e serialit “Çka ka Shpija”. Kësaj here, gjasat që marrëveshja me RTK-në të rinovohet edhe me tutje, siç ka ndodhur nga viti 2014 kur ka nisur sitcom-i, duken se janë shumë pak.

    I vënë shumë shpesh në fokus për mungesën e elementeve artistike dhe humorin banal, deri në promovim e dhunës ndaj grave dhe në familje në përgjithësi, “Çka ka Shpija” është serial vendor i cili që nga viti 2014, për 8 sezone radhazi u transmetua në televizionin publik, RTK1.

    Përkundër përmbajtjes që shpesh herë është etiketuar si degjeneruese, sitcom-i me aktorët Naser Rafuna, Gresa Pallaska, Dardan Gashi, Teuta Krasniqi, etj., në kastin e tij, arriti të mbledhë audiencë masive në transmetimet e tij në “prime time” të RTK-së e miliona klikime tjera në platformën “Youtube”.

    8 vite pas, transmetimi i këtij seriali vendor në televizionin publik, që shpesh herë në përmbajtje ka shfaqur edhe elemente të propagandës politike, duket se i ka ardhur fundi.

    Marrëveshja vjetore e prodhueseve të serialit me televizionin publik, që për 8 vite ka paguar shuma të majme për këtë sitcom, ka përfunduar në fund të vitit që lamë pas.

    E gjasat që ajo të vazhdohet, duken të vogla, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. Ndonëse, për momentin transmetimi i “Çka ka Shpija” në RTK konsiderohet zyrtarisht vetëm i pezulluar, pasi bordi i ri i televizionit publik nuk e ka aprovuar buxhetin e propozuar nga menaxhmenti aktual i RTK-së.

    Episodi i fundit i këtij seriali në RTK është transmetuar gjatë netëve festive të vitit të ri, dhe përkundër se me të hyrë në vitin 2022 serialit i ka përfunduar kontrata me RTK-në, në kanalin e RTK-së në Youtube, në fillim të këtij viti, më 8 janar, është lëshuar një promo paralajmëruese e episodit të ri.

    E, se pse është paralajmëruar episod i ri i serialit, pa kontratë të rinovuar me RTK-në, dhe nëse seriali ka vazhduar të transmetohet edhe më tutje në RTK pas skadimit të marrëveshjes me prodhuesin, Gazeta Online Reporteri.net që një javë është duke provuar të marrë përgjigje nga menaxhmenti aktual i televizionit publik, por, pa ndonjë rezultat.

    Ngadhënjim Kastrati, Drejtor i Përgjithshëm në RTK, refuzoi të flasë me gazetën, e arsyetuar se ndodhet në pushim mjekësor dhe duke rekomanduar që për çështjen e kontratës me “Çka ka shpija” të kontaktohet drejtori i RTK1, Festim Kabashi.

    Ky i fundit, i kontaktuar disa here me anë të thirrjeve dhe mesazheve nga Gazeta Online Reporteri.net, nuk e ka parë të arsyeshme që në asnjë rast të përgjigjet dhe të jap sqarime nëse do të vazhdohet apo është vazhduar kontrata e RTK-së për “Çka ka shpija”.

    I kontaktuar nga Gazeta Online Reporteri.net, autori i serialit dhe njëherit personazhi kryesor i “Çka ka shpija”, Naser Rafuna, ka konfirmuar përfundimin e kontratës me RTK-në.

    Por, sipas tij, kjo ndodhë çdo vit dhe ai pret që t’i vazhdohet sikur ka ndodhur për 8 sezone rresht.

    Rafuna, që në serial paraqitet në rolin e Xhekut, një personazh bullizues, gjithashtu tha se RTK deri tani ka qenë korrekte me gjithçka që kishte të bënte rreth serialit “Ça ka shpija”.

    “Kontrata zakonisht përfundon në fund të vitit dhe e vazhdojnë, kështu ndodh gjithmonë, nuk di nëse do ketë ndodhur diçka për mos me u vazhdu. RTK është treguar korrekte me ne”, tha Naser Rafuna javën që shkoi për Gazetën Online Reporteri.net.

    Fatin e “Çka ka shpija” me RTK-në do ta kenë edhe një pjesë e konsiderueshme e prodhimeve të jashtme që deri në fund të vitit të shkuar janë servuar për publikun nga televizioni publik i Kosovës, e që shpesh herë kanë qenë në fokus të kritikave për shkak të përmbajtjes së tyre degjeneruese dhe minimumin e profesionalizmit dhe realizimit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!