×
  • Show Time
  • Show Time

    Princi Harry i druan “përsëritjes së historisë” me nënën e tij

    Reporteri
    02 Mars 2021 | 12:09

    Princi Harry, i cili e kishte tronditur Britaninë e Madhe gjatë vitit të kaluar, kur ai dhe bashkëshortja e tij, Meghan, morën vendim që të tërhiqen nga detyrat mbretërore, ka thënë të hënën për intervistuesen amerikane, Oprah Winfrey, se i druan përsëritjes së historisë.


    Transmetuesi amerikan “CBS” i ka publikuar ​​të hënën dy klipe të shkurtra nga intervista e Winfreyt me çiftin mbretëror, e cila është planifikuar të transmetohet më 7 mars. Kjo është intervista e parë televizive që çifti, i njohur zyrtarisht si Duka dhe Dukesha të Sussexit, e kanë dhënë qëkur janë zhvendosur për të jetuar në California të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vitin e kaluar.

    “Shqetësimi im më i madh është përsëritja e historisë”, ka thënë Harry, duke iu referuar me sa duket nënës së tij, Princeshës Diana, e cila ishte përndjekur nga shtypi britanik dhe kishte vdekur në moshën 36-vjeçare, në një aksident me veturë në Paris, pas shkurorëzimit nga princi britanik Charles.

    36-vjeçari Harry ishte ulur pranë bashkëshortes së tij 39-vjeçare, Meghan, dhe po e mbante atë për dore. Çifti ka bërë të ditur këtë muaj se janë në pritje të fëmijës së tyre të dytë.

    “Ndihem thjesht i lehtësuar dhe i lumtur që jam duke folur me ty së bashku me gruan time përkrah”, ka thënë Harry. “Për shkak se nuk mund ta imagjinoj se si mund të ketë qenë për të (Dianan), duke kaluar nëpër këtë proces e vetme tërë ato vite”.

    “Ka qenë tepër e vështirë për ne të dy, por të paktën e kemi pasur njëri-tjetrin”, ka shtuar Harry.

    Në fragmentet e publikuara të intervistës, Winfrey ka thënë se asnjë temë nuk ishte jashtë kufijve dhe në një moment i drejtohet çiftit, duke thënë: “Keni thënë disa gjëra mjaft tronditëse këtu, përfshirë faktin se situata ishte pothuajse e pashmangshme’”.

    Para se të shpërnguleshin në California, çifti ishte ankuar për mënyrën se si Meghani po trajtohej nga tabloidët britanikë, pasi që babai i saj është i bardhë, ndërsa nëna afro-amerikane.

    Në fillim të këtij muaji, Pallati i Buckinghamit kishte njoftuar se çifti nuk do të kthehet në jetën e tyre si anëtarë të familjes mbretërore.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!