×
  • Show Time
  • Show Time

    U shfaqe si moderatore në “Kënga Magjike”, fansat i tregojnë me fakte se prezantimi s’bën për të

    Reporteri
    07 Dhjetor 2019 | 12:37

    Modelja e njohur Adrola Dushi nuk ka marrë komente aspak pozitive për rolin e prezantueses si partnerja e Ardit Gjebreas në tri netët finale të “Këngës Magjike”, që po mbahet në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.


    Vajza nga Rrësheni me bukuri të spikatur, arriti të prekte botën e modës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në sajë të mbështetjes që i dha fotografi me famë botërore, Fadil Berisha. Deri në pozitat e modeles apo fotomodeles, Adrola ishte bukuria magjepsëse që ua merrte mendjen të gjithëve, por u desh vetëm një skenë e madhe si ajo e Pallatit të Kongreseve, që Adrola të hapte gojën dhe magjia të prishej.

    Ndjekësit kanë vërshuar me komente kritikuese, duke i sugjeruar që të qëndrojë më mirë në terrenin e modës, pasi prezantimi nuk bën për të. Nëna e një djali pas divorcit nga bashkëshorti është ktritikuar edhe për veshjet skenike, ndërkohë që komentuesit janë shprehur se kishte mundësi për më mirë, në mënyrë që të nxirrte më bukur në pah linjat e modeles.

    Po me jetën e saj private, çfarë po ndodh? Pasi njoftoi ndjekësit në verë se këtë fundvit do të ishte në krah të Ardit Gjebreas për të prezantuar “Kënga Magjike”, modelja Adrola Dushi provokoi audiencën edhe me jetën e saj private pak muaj më parë.

    Dy vite më parë, modelja shqiptare që po bën karrierë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konfirmoi ndarjen nga bashkëshorti i saj, Adis. Gjatë intervistës televizive me Ermal Mamaqin, modelja tregoi se pavarësisht ndarjes me ish-partnerin e saj vazhdojnë të ruajnë marrëdhënie të mira, pasi në mes është djali i tyre, Troi. Faktin se ata ruajnë një marrëdhënie miqësore e vërtetoi me komentin poshtë fotos së ish-burrit, ku ai kishte bërë tatuazh veten dhe të birin duke e mbajtur në krahë. “Zot, sa e bukur!”, shkruante Adrola e impresionuar nga tatuazhi i ish-burrit të saj.

    Edhe pse nuk e thanë hapur arsyen e divorcit, u fol se distanca fizike u bë shkak, nisur nga fakti se Adrola u vendos në Amerikë për karrierën, ndërsa partneri vazhdonte të jetonte në Tiranë. Pas ndarjes së tyre ndjekësit u bënë kureshtarë në lidhje me statusin e Adrolës, tani që s’është më e martuar.

    Në ndonjë deklaratë të shkurtër ajo pohonte se ishte single, pasi gjatë kësaj periudhe nuk e kishte ngacmuar asnjë mashkull. Mirëpo, pak muaj më parë Adrola postoi në rrjetet sociale një foto shumë komprometuese, që dëshmonte faktin se nuk është më single. Ajo pozonte e dorëzuar në krahët e një aktori dhe modeli, i quajtur Pavllo Zengo, i cili po ashtu jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Të njëjtën foto ku ajo llastohej në krahët e tij e ka postuar edhe djali zeshkan me sytë blu, i cili është një shqiptar i përfshirë në botën e aktrimit dhe modës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai gjithashtu postoi të njëjtën foto me statusin “Merre, ose lëre”, duke iu referuar Adrolës. Nuk munguan komentet e miqve, të cilët i sugjeronin që ta marrë Adrolën pas asnjë mëdyshje, pasi sipas tyre “është një nga vajzat më të bukura mbi tokë”. Poshtë fotos nuk munguan komentet me zemra të Adrolës, jo vetëm poshtë kësaj fotoje çift, po edhe të një tjetre që Pavllo kishte postuar në “Instagram”-in e tij, në shoqërinë edhe të një tjetër mikeshe.

    Por duket se pas kaq kohësh, Adrola bënte të njëjtën gjë, këtë herë duke provokuar më shumë. Ajo pozonte në mënyrë provokuese afër trupit të tij, foto hot që e shoqëronte me statusin “My Pavllo” (Pavllo im), duke e konsideruar të vetin. Pavllo Zengo është i njohur si aktor për rolet e tij në “The Org” (në 2017-ën) dhe CSI (Cyber) në 2015-ën. Të shohim nëse vërtet mes tyre do të ndodhë diçka më shumë, apo nëse Adrola do ta marrë me vete Pavllon në Tiranë këtë fundvit.

    E duket se Pavllo me anë të një postimi në “InstaStory” ka vulosur statusin aktual të Adrolës. Bashkë me foton e saj në skenën e “Kënga Magjike”, ai i ka bërë një dedikim plot dashuri duke e konsideruar “superstar”. “Adrola Dushi, je duke më kërkuar mua?” – e pyet ai në foton ku ajo shihet me sytë nga publiku në sallë. Pyetjen e ka shoqëruar me zemra, që tregon se marrëdhënia e tyre ka shumë kimi.

    Në lidhje me martesën në moshë të re që përfundoi me divorc, modelja u shpreh në ekran: “Martesa nuk ishte gabim, por unë dhe Adisi ishim shumë të rinj. Nuk mendoj se është faji im, as faji i Adisit për ndarjen tonë. Është thjesht faji i situatës. Troi erdhi shumë herët në jetën tonë. Pse nuk funksionoi, do të ngelet mes meje dhe Adisit”, ka thënë ndër të tjera Adrola.

    Ndërsa në pyetjen provokuese se mos zgjodhi karrierën përpara ish-bashkëshortit, modelja u përgjigj: “Jo, absolutisht, gjëja që do zgjedh gjithmonë në jetën time është ndjesia e mirë, jo karriera. Karriera nuk të përmbush. Kishim arsyet tona që na sollën në këtë pikë”. Ish-çifti janë prindër të një djali të quajtur Troi e që sipas modeles, është arsyeja pse ata ruajnë ende raporte të mira shoqërore. Gjithsesi, shihet tashmë se jeta e Adrolës ka marrë tjetër rrjedhë dhe ajo duket shumë e lumtur.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!