Duane “Keffe D” Davis pritet të dëgjojë sot në Las Vegas dënimin për vrasjen e reperit të njohur Tupac Shakur, i cili u qëllua për vdekje në vitin 1996, në moshën 25-vjeçare.

Davis, 63 vjeç, u shpall fajtor në gusht për vrasje të shkallës së parë dhe përballet me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.

Tupac u qëllua më 7 shtator 1996, teksa ndodhej në një BMW të zezë me producentin muzikor Marion “Suge” Knight.

Reklamë

Një Cadillac i bardhë u ndal pranë tyre në semafor dhe nga automjeti u hap zjarr.

Reperi ndërroi jetë gjashtë ditë më vonë, ndërsa Knight mbijetoi.Vrasja mbeti e pazbardhur për vite me radhë, derisa Davis, ish-udhëheqës i grupit South Side Compton Crips, foli publikisht për përfshirjen e tij në të shtënat.

Ai pretendoi se gjithçka nisi pas një përleshjeje në Las Vegas, ku Tupac dhe shoqëruesit e tij kishin sulmuar nipin e tij.

Davis pranoi se kishte qenë në sediljen e pasagjerit të Cadillac-ut dhe se kishte siguruar armën që u përdor në sulm.

Prokuroria u mbështet në deklaratat e tij të mëparshme, duke argumentuar se ai kishte organizuar vrasjen dhe kishte siguruar armën.

Reklamë

Ndërkohë, mbrojtja kundërshtoi akuzat, duke vënë në dukje mungesën e provave fizike dhe duke pretenduar se Davis kishte gënjyer për të përfituar financiarisht.

Pas shpalljes fajtor, ai deklaroi se do ta apelonte vendimin.

Davis mbetet personi i vetëm i akuzuar dhe i dënuar për vrasjen e reperit legjendar.

Në seancën e dënimit pritet të flasin edhe anëtarë të familjes së Tupac-ut, i cili, përtej famës botërore, ishte një djalë, vëlla dhe i afërm i dashur për familjen e tij.

Reklamë