Reporteri.net në rrjetet sociale

Nacionale

Shpend Ahmeti: Vizitat te mjeku në Prishtinë me termin

Publikuar

më:

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka publikuar një sqarim, lidhur me vizitat me termin, në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë.


Ahmeti ka bërë të ditur se ky është vetëm një pilot projekt që do të zgjas deri në muajin prill, dhe më pas do të vendoset se si të vazhdohet më tutje.

“Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës nga janari i këtij viti ka filluar pilot-projektin për caktimin e terminëve për vizita kontrolluese në Qendra të Mjekësisë Familjare. Kjo po bëhet me qëllim të lehtësimit të qasjes së qytetarëve në shërbime shëndetësore, si dhe që mjeku të ketë kohë të mjaftueshme ta ekzaminojë në mënyrë adekuate secilin pacient. Ky pilot-projekt është për vizitat kontrolluese (të radhës, pas vizitës së parë), si dhe për pacientët që dëshirojnë të shmangin radhën e pritjes”.

Ky pilot projekt, sipas kryetarit Ahmeti është duke u testuar vetëm në disa prej QMF’ve.

“Aktualisht po testohet në një numër të kufizuar të ordinancave brenda QMF-ve, dhe do të zgjasë deri në muajin prill. Në fund, do t’i marrim rekomandimet nga grupi punues, si dhe ankesat e sugjerimet e qytetarëve, dhe do të fillojmë me fushatë vetëdijesuese nga muaji maj, ashtu që qytetarët të jenë të informuar lidhur me procedurat. Do të sigurohet numri për thirrje pa pagesë, që të caktohen terminët”.

Gjithashtu, kryetari Ahmeti ka bërë të ditur, se jo vetëm ata që bëjnë termin do të kontrollohen. Ai ka thënë se askush që kërkon ndihmë në këto qendra nuk do të kthehet mbrapa pa marrë shërbim.

“Njoftojmë qytetarët se gjatë këtij pilot projekti asnjë rast nuk do të kthehet pa marrë shërbimin shëndetësor. Gjithashtu edhe në të ardhmen, rastet urgjente do të trajtohen me përparësi pa caktuar termin, por edhe rastet e tjera do të marrin shërbimin pavarësisht nëse kanë caktuar termin ose jo. Sigurojmë të gjithë se kjo do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe do të lehtësojë dukshëm qasjen e tyre në Institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Komunën e Prishtinës, pa pasur nevojë të presin në radhë të gjata”.

“Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, mirëpresim çdo ankesë, kritikë dhe sugjerim gjatë kësaj kohe, në mënyrë që ky projekt të realizohet sa më mirë”, ka thënë Ahmeti./reporteri.net

Reporteri.net ne FB

Të gjitha materialet në këtë portal janë të mbrojtura me të drejta autoriale të Reporteri.net. © Copyright: 2017 Reporteri.net | Adresa: Sheshi "Nëna Terezë" – Kompleksi Avalla, Prishtinë. Email: [email protected]; [email protected]