×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Aeroporti “Nënë Tereza”, zyrtarizohet blerja nga Kastrati Group

    Reporteri
    27 Janar 2021 | 16:51

    Pas 16 vjetësh, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës rikthehet në pronësi të shqiptarëve. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit është zyrtarizuar kalimi i pronësisë nga kinezët e China Everbright te grupi shqiptar Kastrati. Do të jetë ky i fundit, që do të menaxhojë aeroportin e vetëm operativ në vend, duke zotëruar paketën e plotë prej 100% të aksioneve.


    Blerja e aeroportit të Rinasit i ka kushtuar grupit shqiptar 71 milionë euro dhe sipas kontratës, kjo pagesë do të bëhet në dy këste.

    Koncesioni i Aeroportit Nënë Tereza ka qenë në qendër të debatit publik, për shkak ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare, të vendosura në kontratën fillestare, por të ndryshuar me negociatat e vitit 2016. Por gjithashtu, edhe për çështje të sigurisë dhe rëndësisë strategjike, si dhe për shkak të tarifave të larta, që kanë pamundësuar operimin e kompanive low-cost. Këto problematika kanë çuar edhe në një përplasje midis pronarëve të mëparshëm të aeroportit dhe qeverisë shqiptare, që kishte ndërmarrë edhe një proces auditimi të zbatimit të kontratës.

    Tashmë me transferimin te shqiptarët e Kastratit, edhe vetë qeveria është shprehur optimiste për menaxhimin e ri të aeroportit, duke njoftuar madje edhe ndryshime të reja në kontratë.

    Aeroporti Nënë Tereza është një prej koncesioneve më fitimprurëse në vend, ku të dhënat zyrtare për vitin 2019 raportojnë një fitim prej 3.1 miliardë lekësh. Para që më parë transferoheshin jashtë shtetit, në xhepat e aksionerëve, por që sot pritet të kthehen në ekonominë shqiptare, në formën e investimeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!