×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Alarmante: 5 vetëvrasje nga pacientët me Covid në Shqipëri

    Reporteri
    01 Dhjetor 2020 | 9:09

    Siguria e pacientit është një nga treguesit më të rëndësishëm të mirëfunksionimit të një sistemi shëndetësor.


    Dëmtimi i shëndetit në institucionet shëndetësore, humbja e funksioneve, humbja e jetës, etj, analizohen kudo në botë me përgjegjshmërinë më lartë me qëllimin kryesor përmirësimin e cilësisë dhe rritjen e sigurisë në spitale.

    Vetëvrasja e një pacienti në kohën kur merr kujdes shëndetësor përbën një nga kulmet e cënimit të sigurisë. Në SHBA-të me 328 milion banorë ndodhin në spitale rreth 50 vetëvrasje në vit, gati të gjitha në spitale psikiatrikë. Rreziku i një pacienti jashtë këtyre spitaleve për të vrarë veten gjatë kohës që merr kujdes shëndetësor, vlerësohet në më pak se 1 vetëvrasje për çdo 3 milion shtrime në spital!

    5 vetëvrasje vetëm midis 5 mijë pacientëve të prekur nga COVID që janë shtruar në spitalet shqiptare është një shifër jashtëzakonisht e lartë dhe e pajustifikueshme. Aq më pak nga kryeministri, i cili pasi zbuloi talentin e fshehur në epidemiologji, tashmë shfaqet edhe ai njohës i sigurisë në spitale duke ngatërruar ndoshta qëllimisht, ndoshta nga injoranca (mosnjohja e çështjeve shëndetësore), pacientët që vrasin veten në shtëpi me ata që vrasin veten në spital.

    Ndërkohë që shumë kolegë kanë bërë propozime të shumta dhe të drejta për korrigjimin e kësaj situate unë do të shtoja tre propozimet e mëposhtme:

    Strategjikisht, duhet riaktivizuar Qendra Kombëtare e Cilësisë dhe Sigurisë, e cila u krijua si një risi në vitin 2006. Sigurisht, informaticienët dhe kimistët e dështuar që kanë drejtuar shëndetësinë tetë vitet e fundit e kanë lënë në hije këtë institucion kaq të rëndësishëm, duke mos qënë të aftë as edhe të kuptojnë rolin e saj. Kjo qendër i ka gati vlerësimet dhe planet për përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë në institucionet shëndetësore shqiptare.

    Nga ana e shërbimit, duhet futur menjëherë në përdorim pyetësori depistues për vlerësimin e rrezikut të vetëvrasjes dhe të plotësohet ai për çdo pacient të shtruar në spitalet COVID. Pacientët që rezultojnë të kenë një shkallë të lartë të rrezikut duhen trajtuar me kujdesin maksimal sipas protokolleve të sigurisë.

    Së fundi, nga ana e marrëdhënieve njerëzore, të lejohen vizitat e familjarëve në spitalet COVID, sikundër kemi dëgjuar e parë nga miqtë që kurohen në spitalet e Turqisë. Sot nuk jemi në shkurt apo mars dhe nuk ka asnjë arsye që pacientëve të shtruar me COVID t’u mohohen vizitat nga familjarët. Patjetër, me masa sigurie e pajisje mbrojtëse, por duhen lejuar. Bunkerizimi i panevojshëm i spitaleve COVID duhet të marrë fund.

    Shpesh kam përmendur se epidemia e COVID-it nxori zbuluar gjendjen ku është katandisur sistemi shëndetësor shqiptar.

    Siguria e pacientit, një nga shtyllat e ofrimit të kujdesit shëndetësor bashkëkohor, duhet të marrë urgjent rëndësinë e saj.

    Sot, si një urgjencë dhe domosdoshmëri për të shmangur situata të tjera si 5 vetëvrasjet fatkeqe dhe nesër si një përafrim strategjik të cilin shqiptarët e meritojnë!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!