×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Arrestohen 14 persona për protestën e opozitës

    Reporteri
    17 Mars 2019 | 9:47

    Policia ka arrestuar 14 persona, të cilët dyshohet se gjatë protestës së djeshme të opozitës goditën me sende të forta pjestarët e policisë. 8 protestues të tjerë janë shpallur në kërkim.

    Burime nga policia bëjnë të ditur se ish-deputeti i Fierit, Luan Baçi po hetohet në gjendje të lirë.

    Pas protestës, Policia e Shtetit informoi se menjëherë pas mbylljes së tubimit, “në vendin ku pati akte dhune mbi forca e rendit dhe ndaj institucionit të rëndësisë së veçantë,” u ngrit një grup i posaçëm hetimor.

    “Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve të përfshirë si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi dhune.”
    Nga ana e saj policia e shtetit informon se tubimi ishte i paligjshëm.

    “Partia Demokratike e aleatët e saj, organizuan sot një tubim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili, në kundërshtim të plotë me ligjin, në mënyrë të papritur dhe të pa lajmëruar, por edhe në kundërshtim me vetë kërkesën e organizatorëve për vendin e protestës, u zhvendos në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë tubimit të paligjshëm përpara Kuvendit, protestuesit krijuan incidente me Policinë dhe më pas e goditën, gjatë përpjekjes për të çarë kordonin e forcave të rendit. Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit u hodhën gurë dhe mjete të tjera të forta. Për pasojë u lënduan dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 3 punonjës policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën” thuhet në një deklaratë të policisë së Shqipërisë.

    Gjatë tubimit, sipas policisë u lënduan 3 punonjës policie, ndërsa edhe mes protestuesve pati të lënduar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!