Banorët e Thumanës japin alarmin: Po vidhen shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti

Historitë e gjendjes pas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë po vazhdojnë edhe këto ditë.


Emisioni investigativ “BOOM” në RTV Ora paraqiti ditën e sotme situatën shqetësuese të banorëve të prekur nga tërmeti në Thumanë.

Pasi u larguan ekipet e shpëtimit dhe kamerat e televizioneve, lanë pas një skenë vërtetë të trishtë me banorët të cilët nuk janë strehuar ende.

Shumë prej tyre vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme pasi nuk munden ta përballojnë situatën.

I tillë është dhe rasti i zonjës Zhuljeta Koxha e cila vuan nga epilepsia dhe dridhet gjithë kohës.

Ajo pohon për “BOOM” se fle në oborr dhe se nuk ka marrë ndihmë nga autoritetet.

Zhuljeta Koxha: Kur zuri ai tërmeti më kishte përplasur në hekur.

Gazetarja: Çfarë ndihmash ju dha komuna?

Zhuljeta Koxha: Asnjë ndihmë nuk na ka dhënë. Dje kanë ardhur për të më bërë gjilpërën. 5 ditë që ka rënë tërmeti dhe doktori nuk kishte ardhur të më shihte. Çfarë kisha në bufe janë shembur. Faqja e murit është shembur.

Gazetarja: Ndihmat që ju kanë sjellur janë vetëm kolitë e ujit.

Zhuljeta Koxha: Jo, këto na i kanë sjellur Kosovarët se ata nuk na kanë dhënë asgjë. Shkova për të kërkuar një çadër dhe ai i komunës nuk më dha. Ohu boll keni marrë më thanë.

Gazetarja e “BOOM” shkoi tek familja Caka që ka dy fëmijë të sëmurë. Njëri prej tyre është operuar disa ditë më parë dhe fle mes të ftohtit në çadrën e vendosur pranë shtëpisë së shembur.

Gazetarja: Këtu banoni për momentin?

Banorja: Po. Ja dhe djali të cilin e kam bërë operacion nga shtylla kurrizore.

Gazetarja: Pse nuk jeni strehuar?

Banorja: Ne nuk na ka thënë askush ku të strehohemi. Na kanë dhënë vetëm këtë çadër të futemi këtu. Dhe këtë e kemi marrë me zor në 12 të natës.

Gazetarja: Sa vjeç je?

Djali: 16.

Gazetarja: Si janë mbrëmjet e tua.

Djali: Të ftohta. Dua të zhvendosem nga ky vend se këtu është katastrof e gjitha dhe dua të shkoj në një vend më të mirë.

Gazetarja: Familjet e tjera kanë ikur. Pse nuk jeni zhvendosur akoma?

Djali: Nuk na kanë thënë gjë për të ikur. S’kemi çfarë të bëjmë tjetër.

Banorja: Kam dy fëmijë të sëmurë. Njërin e kam bërë operim ndërsa tjetrin e kam autik. Jetoj në kushte të jashtëzakonshme. Unë kërkoj ndihmë kush ka mundësi.

Nëna e shtëpisë shprehet se ata u dërguan në hotel por nuk u pranuan pasi nuk kishin vërtetim nga komuna ndaj u detyruan të kthehen në çadra.

Pas këtij shqetësimi “BOOM” iu drejtua Njësisë Administrative Thumanë për të pyetur se përse nuk i sigurohet strehimi kësaj familje.

Punonjësi i Njësisë Administrative Thumanë: Ka shkuar Gazi atje me grupin e punës, e kanë parë?

Qytetarja: Më çuan në Lezhë pa autorizim nga këtu dhe më kthyen. Kam ardhur në 12 të natës.

Punonjësi i Njësisë Administrative Thumanë: Grupi i punës e ka parë gjendjen?

Qytetarja: Kanë qenë

Punonjësi i Njësisë Administrative Thumanë: Çfarë kanë thënë?

Qytetarja: Shtëpi e pabanueshme.

Punonjësi i Njësisë Administrative Thumanë: Këtyre do ti shpërndahet çadra

Gazetarja: Kjo është zgjidhja

Punonjësi i Njësisë Administrative Thumanë: Po

Qytetarja: Unë një fëmijë e kam bërë operim, njërin e di ti si e kam.

Punonjësi i Njësisë Administrative Thumanë: Po e dimë gjendjen

(Ndërhyn një tjetër person)

“Ju po bëni shumë pyetje”

Gazetarja: Po jemi të interesuar, do raportojmë situatën. Kush jeni ju, më fal të prezantohemi

“Kush jam unë, po ti kush je?”

Gazetarja: Alekta, gazetare e Ora Neës

Administratori i Njësisë nuk ka dhënë një sqarim për situatën por thotë se vendet në hotele janë zënë.

Por ku do të strehohen këto familje?

Një tjetër zonjë shprehet se nuk është strehuar ende. Me lot në sy ajo tregon se është lutur për një çadër por ende nuk e ka marrë.

Shumë banorë pranojnë se flenë ende në shtëpi të rrënuara ndërsa disa të tjerë në qiell të hapur.

Banorja 2: Është shembur shtëpia si gjithë të tjerat.

Gazetarja: Kur kërkon çadrën çfarë të thonë?

Banorja 2: Shko në shtëpi se do ta sjellim ne. Shkoj në shtëpi dhe rri deri në 5 të natës zgjuar se mos bie porta por nuk vjen njeri.

Gazetarja: Ku fle tani ti?

Banorja 2: Jashtë. Shteti nuk ka faj për tërmetet që bien por të paktën të vijnë dhe të na japin çadrat ku të fusim kokën. Jam e sëmurë dhe nuk të pyet kush. U bë 1 javë që rri përditë këtu.

Por sikur të mos mjaftonte kjo fatkeqësi, pas tërmetit është vënë re një tjetër fenomen, vjedhja.

Persona të paidentifikuar shkojnë në shtëpi të shpallura si të pabanueshme dhe vjedhin çfarë të gjejnë.

Këtë e bëjnë të ditur banorët e Thumanës ku njëri prej tyre tregon se nuk pranon të dalë nga shtëpia sepse kanë filluar vjedhjet.

Banorja: Ka shkuar plaku të marrë lekët dhe nuk i është mbyllur dera dhe kanë shkuar kanë vjedhur ca ka pasur brenda.

Pas kësaj situate të paprecedent, ku përballë kësaj fatkeqësie natyrore dëgjon se vidhen banesat, emisioni “BOOM” i bën thirrje Policisë së Shtetit të jetë prezent me forca të shtuara policore për të frenuar këtë fenomen.