×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Dekonspirimet e aksioneve, shifrat e tradhtarëve brenda radhëve të policisë

    Reporteri
    30 Shtator 2020 | 19:11

    Që policia ka dështuar në shumë operacione të saj për kapjen e të kërkuarve si autorë të veprave të ndryshme penale nuk është një gjë e re, por kur dështimet vijnë nga dekonspirimet policore problemi është më shumë se serioz.


    Artan Shkëmbi u pezullua nga detyra, sepse juridikisht, sipas SPAK ka nxjerrë sekretin hetimor, ndërsa në gjuhën më të thjeshtë ka dekonspiruar një aksion për të cilin Policia do vepronte në bazë të ligjit special për verifikimin e pasurive. E aq më tepër që për personin që ai ka nxjerrë sekretin hetimor, interesimi ishte nga një agjenci ligjzbatuese e një vendi të Bashkimit Evropian.

    Por, në kohë të ndryshme Policia ka pasur gjithnjë një “spiun” të saj. Ka pasur edhe mjaft përjashtime për arsyen se janë verifikuar si dekonspirues të operacioneve. Por a janë larguar të gjithë “tradhtarët”.

    Krerët më të lartë të Policisë së Shtetit, të pyetur për Shkëmbin, por edhe të tjerë në veprime të tilla me qëllim përfitimi thonë se ka ende efektivë të nivele të larta, apo të mesme e më poshtë që “shesin” Policinë.

    Nuk ka asnjë dyshim tashmë, as nga ministri Sandër Lleshaj e nga drejtues të tjerë të vjetër të policisë, që policë të ndryshëm (edhe pse në raste sporadike) vihen në shërbim të krimit, për dekonspirimin e agjentëve, me pasojë dëmtimin e hetimeve, aksioneve dhe asgjësimin e operacioneve të policisë.

    Referuar shifrave, vetëm në 4 vitet e fundit, janë depozituar 245 denoncime me fakte e pamje konkrete, që provojnë lidhjet e elementëve të policisë me “pushtetin” e krimit në Vlorë, Elbasan, Durrës, Shkodër, Fier, Gjirokastër.

    Një pjesë e denoncimeve janë marrë në shqyrtim nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të shoqëruara me masa administrative. Më konkretisht për vitin 2019, janë mbyllur praktikat shkresore për hetimin disiplinor ndaj 32 punonjësve. 22 prej tyre janë ndëshkuar me masa të lehta nga të cilat 21 më vërejtje dhe një vërejtje me shkrim.

    Ndërsa për 10 efektivë, që dyshohet se kanë shkelur ligjin jo vetëm me dekonspirim të operacioneve të Policisë, por edhe me mosveprim, apo ndikim me forma të ndryshme janë marrë masa të rënda. Prej tyre 3 masa disiplinore “ulje në gradë, pa të drejtë konkurrimi për 2 vjet”, 3 masa disiplinore “shtyrje e afatit të gradimit për 12 muaj”, 1 masë disiplinore “heqje e 5 ditëve pune”, 3 masa disiplinore “përjashtim nga radhët e Policisë”./Gazeta Shqip

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!