Delegacioni holandez vjen në Tiranë, nuk flasin për çështjen e vizave

Një delegacion holandez zhvilloi një vizitë në Shqipëri, në prag të publikimit të progres raportit të Komisionit Evropian. Në përfundim të takimeve me përfaqësues të politikës dhe shoqërisë civile, delegacioni tha se nuk kanë diskutuar për çështjen e vizave.


”Ne jemi të informuar dhe të ndërgjegjshëm që votimi iu Parlamentit Holandez në lidhje me liberalizimin e vizave ka tërhequr shumë vëmendjen në Shqipëri. Më lejoni t’ju them që kjo nuk ka qenë arsyeja e vizitës tonë dhe as ka qenë një temë që ne e kemi trajtuar në takimet që patëm. Kjo çështje do të jetë një nga çështjet e agjendës gjatë vizitës së parlamentit shqiptar në Holandë në fund të këtij muaji”, ka thënë përfaqësuesi i delegacionit holandez.

Në lidhje me hapjen e negociatave, delegacioni u shpreh se i takon Komisionit Evropian të bëjë vlerësimin, më pas do të diskutohet edhe në Parlamentin e Holandës.

”Më lejoni të falënderoj parlamentin shqiptar, qeverinë, opozitën dhe shoqërinë civile për kohën që na dhanë duke na pritur. Ne vumë re një dëshirë nga ana e autoriteteve shqiptare për të vazhduar plotësimin e kritereve kyçe të vendosura nga BE. Ne i urojmë Shqipërisë çdo sukses në zbatimin e agjendës së reformave. Tashmë i takon Komisionit Evropian të bëjë vlerësimin e vet dhe të propozojë një rekomandim për Shqipërinë. Ne presim me dëshirë më të mirë për raportin e progresit që do të publikojë komisioni evropian dhe ne do ta diskutojmë në parlament pasi ai të jetë publikuar”.

Konkluzionet e takimit në Shqipëri, do të publikohet së shpejti në faqen e parlamentit holandez.