Detaje, si u grabitën 15 milionë euro në 5 grabitje të bujshme të parave të bankave

Që prej vitit 2015 e deri më 9 prill të këtij viti, në 5 ngjarje të organizuara rezultojnë të jenë grabitur rreth 15 milionë euro.

Shuma e parave të vjedhura në të gjitha rastet u përkiste bankave të nivelit të dytë, të cilat do e transportonin me avion në drejtim të Austrisë.

Katër prej grabitjeve, sipas Policisë janë organizuar nga grupi i Admir Muratajt, i cili mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë në ngjarjen e fundit.

Grabitja e parë ka ndodhur më 13 shkurt 2015, pranë Stacionit të Trenit në Tiranë, ku në një bankë të nivelit të dytë u vodhën me armë 900 mijë franga, 800 mijë paund dhe 16 mijë euro.

E dyta ndodhi më 30 dhjetor të vitit 2015, ku u sulmuan me armë eskorta e vlerave monetare në aksin Tiranë-Rinas, në afërsi të Qafës së Kasharit, ku u vodhën 2 milionë paund, 800 mijë dollarë dhe sasi të tjera valute.

Më 30 qershor 2016, grupi i grabitësve rrezikoi edhe më shumë, duke depërtuar deri në pistën e avionëve. Kjo ishte ngjarja e parë, ku u cenua siguria në Aeroportin e Rinasit. Autorët arritën të merrnin 995 mijë euro. Për këtë ngjarje ende nuk ka ndonjë person të dyshuar.

Edhe pse u aludua fillimisht se mund të ishte kryer nga i njëjti grup, nuk u arrit të provohej asnjëherë. Grabitja e katërt ndodhi më 9 shkurt 2017, ku u sulmuan me armë eskorta e vlerave monetare në aksin Tiranë-Rinas, afër një universiteti privat.

Në këtë ngjarje u rrëmbyen në automjet thasët me 2 milionë e 400 mijë euro, 200 mijë dollarë dhe valuta të tjera.

Ndërsa së fundmi, më 9 prill, ndodhi grabitja e radhës në pistën e avionëve, duke u përsëritur e njëjta ngjarje si në vitin 2016. Nga “barku” i avionit u rrëmbyen nën kërcënimin e armëve 7 thashë me para, me një vlerë që bankat e kanë llogaritur 6.5 milionë euro.

AUTORET

Zbulimi i serisë së autorësisë së grabitjeve u bë në shkurt të 2017-ës, ku Policia dhe Prokuroria arrestuan anëtarët e bandës, të cilëve iu gjetën edhe një pjesë të shumave të vjedhura. Kartëmonedhat ishin groposur në tenxhere, por edhe ishin fshehur në mënyrë origjinale në vende të tjera, duke u futur me qese në frigorifer. Në janar të këtij viti, Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti pretencën për bandën e të akuzuarve për tri grabitje të bujshme të ndodhura në autostradë, gjatë transportimit të parave të bankave nga Tirana në Rinas.

Prokurori i çështjes në total kërkoi 127 vite burg për 8 të akuzuarit: Dash Kupa, Ernest Kupa, Neim Avdyli, Ditjon Memlika, Admir Çerpja, Fatjon Xhyliu, Dritan Sinani dhe Aleksandër Murataj, vëllai i Admir Muratajt. Nga ky grup vazhdonte të ishte në kërkim Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë. Gjithashtu nuk është arrestuar ende as Klement Çala, i cili është dënuar në mungesë me 25 vjet burg.