×
  • Lajme
  • Shqipëria

    “Do vras për të marrë hak për myslimanët në Zelandën e Re!” – Arrestohet shqiptari në SHBA

    Reporteri
    05 Prill 2019 | 14:55

    Një shqiptar 21 vjeçar ka rënë në pranga në SHBA pas dyshimeve serioze se kishte bërë plan për të bërë sulme terroriste, si një kundërpërgjigje ndaj sulmit makabër kundër myslimanëve në Zelandën e Re.


    Fabjan Alameti quhet 21 vjeçari, i cili dyshohet se kishte folur për t’iu bashkuar ISIS dhe për të sulmuar qytetarët në rrugë. Gjykatësi urdhëroi që i riu të qëndrojë në burg derisa hetimet të përfundojnë. Ai akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe dëshmi të rreme në lidhje me terrorizmin.

    Autoritetet e mbanin në mënyrë konstante në vëzhgim të riun shqiptar pasi kanë vënë re komentet e tij në mbështetje të ISIS nëpër rrjetet sociale. Në muajin janar, Alameti kishte biseduar me një person, që në fakt ishte informator i FBI-së. Ai i kishte treguar për dëshirën për të luftuar me ISIS në Siri e Irak si dhe për të bërë një sulm kundër SHBA-ve në ndonjë prej objekteve të saj ushtarake, qendrave qeveritare apo edhe atyre të homoseksualëve apo hebrenjve. Megjithatë, Alameti më vonë kishte thënë se nuk do të kryente një sulm në tokë amerikane sepse ky shtet i ka dhënë atij shtetësinë, sipas dëshmisë së agjentit të FBI në gjykatë.

    Më tutje shqiptari, duke mos qenë në dijeni se po i jepte informacion një agjenti të FBI-së kishte deklaruar se do të largohej nga New York për të shkuar në Montana, pasi atje ligjet e shtetit janë më tolerante në blerjen e një arme zjarri.

    Madje, 21-vjeçari i kishte kërkuar atij që t’i dërgonte videon e sulmit terrorist në dy xhami të Zelandës së Re. “Do të sulmoj njerëz të rastësishëm për të marrë hak për gjakun“, i kishte thënë.

    Pas këtyre deklaratave i riu është marrë në pyetje. Ai ka mohuar gjithçka dhe është lënë i lirë, por jo i pavëzhguar. Kohë më vonë një tjetër informator i FBI kishte regjistruar Fabjan Alametin duke thënë se do të blente marijuanë dhe të shkonte në një dyqan armësh për të blerë një armë që kishte parë. Të mërkurën ai u shfaq në dyqanin e armëve dhe bënte qitje me pushkën të cilën e kishte marrë me qira për 35 Dollarë. Sipas akuzës zyrtare, 21-vjeçari u arrestua sepse është e paligjshme të posedosh armë kur je nën efektin e drogës, si dhe për akuzën e deklaratave të rreme kur para hetuesve mohoi gjithçka që kishte thënë për t’iu bashkuar ISIS dhe sulmet në tokë amerikane

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!