×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Dyert e aeroportit të Rinasit, shikoni si i besohet zinxhirëve të hollë dhe drynave që i gjen lehtë në treg

    Reporteri
    11 Prill 2019 | 17:15

    Një palë pinca të përdorura në dy vite kanë rezultuar më të forta se çdo masë sigurie e marrë apo e lënë rrugëve në aeroportin e Rinasit.


    ReportTv sjell një vëzhgim të dyerve të aeroportit ku edhe pas grabitjes së 2016 dhe dy ditëve më parë, gjithçka i besohet zinxhirëve të hollë dhe drynave që i gjen lehtësisht në treg.

    Tre vite më parë më 30 qershor 2019 perimetri i sigurisë në aeroportin e Rinasit do të thyhej nga një palë pinca.

    Këtë skemë e aplikoi për herë të parë Aleks Pepa i cili prej dy vitesh është në listën e më të kërkuarve për grabitjen e mbi 1 milion eurove.

    Këputi zinxhirin dhe u fut në pistë në pak minuta me një automjet të kuq.

    E teksa arratia e tij zgjat ende, të njëjtën skemë e riktheu në lojë Admir Murataj këtë herë me grupin e tij ku po me pinca çanë për herë të dytë perimetrin e sigurisë të aeroportit.

    U futën me furgon, morën 10 milion euro dhe u larguan sërish duke këputur me pinca zinxhirin rrethues të derës dalëse të perimetrit të sigurisë së pistës.

    Dy ditë pas kësaj ngjarje debati është hapur nëse pista ofron apo jo siguri jashtë e brenda, ndërsa prania e policisë ushtarake ka futur edhe politikë në akuza e kundërakuza.

    ReportTv është ndalur në portat e Rinasit të cilat janë disa, ndërsa siguria mbetet sërish në duart e zinxhirit të hollë dhe drynave që gjinden fare lehtësisht në treg.

    Prania e masave shtesë shfaqet në portën nga ku dy ditë më parë u futën grabitësit. Aty patrullon vazhdimisht një furgon i policisë së Shtetit, brenda dhe jashtë rrethimit.

    E deri sa ky debat të njohë përgjegjësit realë dy grabitje në harkun kohor të dy viteve, ka bërë që Shqipëria të kthehet në lajm botëror për cënimin e sigurisë së aeroportit ndërkombëtar ku me armatim të rëndë të maskuar dhe me granata, automatik e tritol, keqbërësit futen në pistën e avionit me pasagjerë me të cilin do të transportoheshin paratë për në Vienë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!