×
  • Lajme
  • Shqipëria

    E përndoqi derisa 16 vjeçarja i dha fund jetës me helm, detaje të reja për vdekjen e shqiptares

    Reporteri
    08 Maj 2019 | 12:51

    Familjarët, të afërmit dhe shokët e shkollës i kanë dhënë lamtumirën e fundit Adela Çaçit.


    Adoleshentja ishte nxënëse e vitit të parë në shkollën e mesme profesionale e Ekonomisë dhe Turizmit “Kristo Isak”, e cila ndodhet në lagjen “Jani Vruho” në qytetin e Beratit. 16-vjeçarja, prej disa ditësh, kishte shfaqur një sjellje të pazakontë. Madje, një ditë para se të kryente vetëhelmimin, ajo kishte vënë në dijeni dhe prindërit për situatën që po kalonte.

    Shoku i saj i shkollës, D.K, e kërcënonte se do t’i publikonte një video në rrjetet sociale nëse nuk i jepte para. Adela jetonte në fshatin Duhanas, që ndodhet pak kilometra larg qytetit të Beratit. Fqinjët dhe të afërmit shprehen të tronditur për ndarjen nga jeta të 16- vjeçares, ndërsa për familjen e saj tregojnë se dy prindërit punojnë gjithë ditën në arë në mënyrë që t’u siguronin një të ardhme më të mirë fëmijëve. Adela ishte një nga nxënëset më të mira të shkollës, që, përveç mësimeve, përfshihej dhe në aktivitete jashtëshkollore.

    Drejtori i shkollës së mesme profesionale, Ferik Koçi, tregon se 16-vjeçarja ishte e dalluar në mësime, shembullore në sjellje dhe se nuk kishte shfaqur asnjëherë probleme apo shqetësime te mësuesit dhe psikologet e shkollës. Koçi thotë se i arrestuari shantazhues i Adelës është në klasë tjetër. Ai mohon në mënyrë kategorike që stafi pedagogjik dhe psikologet të kenë qenë në dijeni me historinë e kërcënimeve ndaj 16-vjeçares, që solli dhe vetëhelmimin e saj. Dyshohet se vajza nga fshati Duhanas të ketë krijuar njohje me 17-vjeçarin e arrestuar gjatë aktiviteteve jashtëshkollore.

    Adoleshenti i prangosur me akuzën e “Përndjekjes”, dyshohet se ka filmuar adoleshenten në momente intime me të dashurin e saj dhe këtë material e përdorte si kërcënim ndaj saj. I riu, banues në lagjen “Kushtrimi” të qytetit të Beratit, u arrestua pas zbulimit të mesazheve në telefonin e viktimës. Ky është rasti i dytë i rëndë ku një nxënës i kësaj shkolle në Berat kryen vetëhelmim. Rasti i kaluar bënte fjalë për një 17-vjeçar, i cili ishte viktimë i ngacmimeve.

    Për shkak të bullizmit, adoleshenti në kushte të rënda psikologjike i dha fund jetës duke pirë fostoksinë. 17-vjeçari vinte nga fshati për të ndjekur mësimet në shkollën profesionale, por pikërisht vendbanimi i tij në fshatin Tomorr, ishte kthyer në shkak për t’u tallur nga nxënës të tjerë të shkollës “Kristo Isak”, që financohet nga qeveria zvicerane.

    Vajza vuri në dijeni prindërit, por nuk e denoncuan në Polici

    Dy prindërit e Adelës ishin vënë në dijeni nga vetë vajza e tyre për situatën që po kalonte. Pasi kishte vënë re sjelljen e 16-vjeçares, e ëma kishte mësuar se, prej disa ditësh, një nga shokët e saj të shkollës i dërgonte vazhdimisht mesazhe kërcënuese në telefon dhe profilet e saj në rrjetet sociale.

    Përballë kësaj situate, E. Çaçi ka diskutuar me bashkëshortin e saj për atë që kishte ndodhur. Të ndikuar nga opinioni publik dhe gjykimi që do t’i bënin vajzës së tyre pas kësaj historie, dy prindërit kanë hezituar që të bëjnë denoncim në Polici për djalin që shantazhonte vajzën e tyre të madhe.

    Kryefamiljari H. Çaçi, gjatë marrjes në pyetje nga Policia e Beratit, ka pranuar se ishte në dijeni për mesazhet kërcënuese që merrte e bija, por ka theksuar se nuk e kishte menduar se kjo situata do ta çonte Adelën drejt vetëhelmimit dhe nga ana tjetër kishte hezituar që të bënte denoncim duke menduar se këtë problem do të zgjidhte duke diskutuar me drejtuesit e shkollës. Por, e gjithë kjo histori shkaktoi gjendje të rënduar psikologjike mbi adoleshenten, e cila në fund ndërmori aktin për vetëflijim./panorama

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!