×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Edhe BE-ja i jep “shuplakë” Ilir Metës: Zgjedhjet mbahen më 30 qershor

    Reporteri
    28 Qershor 2019 | 12:31

    Misioni i BE-së në Tiranë, ka dalë me një deklaratë për zgjedhjet e 30 qershorit, me ç’rast ka kërkuar vetëpërmbajtje.


    BE thotë se çdo qytetar duhet të votojë i lirë, ndërkohë që çdo akt dhune do të jetë i papranueshëm, shkruan Reporteri.net.

    Në komunikatën e Bashkimit Evropian, konfirmohet se data që njohin ata për zgjedhje lokale, është 30 qershori.

    Kjo nënkupton se ata kanë refuzuar të pranojnë një dekret që nënshkruajti dje presidenti Meta, me të cilin caktoi zgjedhjet e reja më 13 tetor./Reporteri.net

    Lexoni deklaratën e plotë të BE-së:

    Qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore.

    Duke pasur parasysh votimet që do të zhvillohen më 30 qershor 2019, është e domosdoshme që qytetarët që ushtrojnë të drejtat e tyre ta bëjnë këtë në një mënyrë të rregullt.

    Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që veprimtaritë e votimit të mos pengohen.

    Demonstrata e zhvilluar në Tiranë më 21 qershor 2019 ishte e paqësore dhe të njëjtat parime dhe vlera demokratike duhen ruajtur këtë fundjavë.

    Çdo veprim i dhunshëm apo çdo formë nxitjeje për dhunë janë absolutisht të papranueshme në çfarëdo lloj rrethane.

    Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese.

    Procesi i votimit do të vëzhgohet nga një mision ndërkombëtar i drejtuar nga OSBE/ODIHR që përfshin vëzhgues nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian.

    Të gjitha palët duhet të angazhohen në një dialog të mirëfilltë, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të kapërcyer situatën aktuale politike në mënyrë që t’i përqëndrojnë përpjekjet e tyre në mbështetjen dhe konsolidimin e progresit të bërë nga Shqipëria deri më tani në procesin e reformave në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!