×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Edi Rama ia jep mikut të tij Behgjet Pacollit tenderin 104 milionësh për ndërtimin e aeroportit të Vlorës

    Reporteri
    05 Mars 2021 | 15:39

    Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, shpalli sot fituesin e Aeroportit të Vlorës.


    Konsorciumi fitues është Mabco Construction, Mabetex Group. Është i regjistruar në Zvicër.

    Mabetex Group janë rrjeti i bizneseve në pronësi të biznesmenit dhe politikanit nga Kosova, Behgjet Pacolli, i njohur për miqësinë e tij me Edi Ramën.

    Vlera e investimit e ofruar për aeroportin e Vlorës është 103 milionë e 966 mijë e 30 euro.

    Në njoftimin e dhenë sot thuhet se Alde Corporation Limited, kompania tjetër garuese me bazë në Londër, nuk i ka përmbushur kriteret teknike. Nuk ka pasur as eksperiencën, as kushtet financiare.

    “Kemi pasur dy garues. Njëra nga ofertat është ALDE Coorporation, që nuk ka përmbushur asnjë kriter. Kompania tjetër dhe fituese është e regjistruar në Zvicër, është një bashkim Mabco Construction (Mabetex Group) (50%); YDA – Group (48%); 2A Group SH.PK (2%)”, deklaroi Ministrja Balluku.

    Balluku rikujtoi se kjo garë ka filluar në vitin 2019. Gara duhet të mbyllej në mars të vitit 2020. Balluku cilësoi se, për shkak të fillimit të pandemisë, këto procese ngrinë.

    Aeroporti i Vlorës në të ardhmen do të jetë shtëpia e Air Albania. Ky aeroport do të ketë disa sektorë të rinj. Hapja e aeroportit të Kukësit dhe, për më tepër, me nisjen e negocimit të kësaj kontrate në jo më pak se 30 ditë, do të hapë një fazë të re për aeroportin e Sarandës. Do të bëhet një studim fizibiliteti në zonën e Korçës.

    “Jam shumë i lumtur që baza e këtij konsorciumi është një kompani e famshme, kompani me vepra fantastike, një kompani që ka flamurin shqiptar, kompania e Behgjet Pacollit”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    Kryeministri tha se konsorciumi ka një eksperiencë shumë të suksesshme në fushën e aviacionit. “Do të kemi një aeroport që do të jetë në kornizën e çmimeve që janë në Evropë”.

    “Duke pasur një partner si Behgjet Pacolli, kemi mundësinë që ta vëmë përpara përgjegjësisë së madhe të nderit në raport me mbarë popullin dhe të jemi të çliruar nga çdo pengesë e natyrës së këtyre marrëdhënieve me kompanitë e huaja”.

    Kryeministri tha se ambicia është që të realizohen katër aeroporte ndërkombëtare. Rama i cilësoi aeroportet fabrika të mëdha të zhvillimit ekonomik.

    “Aeroportet sjellin punësim për të gjithë hapësirën ku kanë ndikimin e tyre. Janë pika që garantojnë një lëvizje të jashtëzakonshme brenda trupit të ekonomisë globale”, pohoi kryeministri.

    Kreu i qeverisë tha se ky aeroport do të hapë një tjetër kanal zhvillimi shumë të rëndësishëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!