×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Europol: Si “shqipfolësit” dominojnë tregun e kokainës dhe lidhjet direkte në Amerikën Latine

    Reporteri
    08 Shtator 2021 | 14:27

    Më e dhunshme, e larmishme dhe konkurruese: këto janë karakteristikat kryesore të tregtisë së kokainës në Evropë.


    Një raport prej 27 faqesh i Europol, i publikuar këtë të martë, ka dhënë detaje mbi tregun e kokainës në Evropë dhe mbi grupet kriminale që dominojnë.

    Sipas këtij raporti, Belgjika dhe Holanda janë bërë qendra kryesore për trafikun e kokainës.

    Raporti i ri i “Cocaine Insights”, nënvizon dinamikën e re të tregut të kokainës, që përbën një kërcënim të qartë për sigurinë evropiane dhe globale.

    Fragmentimi i peizazhit kriminal në vendet burimore ka krijuar mundësi të reja për rrjetet kriminale evropiane për të marrë furnizim të drejtpërdrejtë kokaine nga Amerika Latine, duke hequr ndërmjetësit, thekson raporti.

    Raporti ka dhënë detaje mbi rolin e trafikantëve që në raport quhen “shqipfolës” në trafikun e kokainës, duke futur  në një klasifikim të gjithë shqiptarët, pavarësisht nëse jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, apo Maqedoninë e Veriut.

    Raporti thekson se grupet shqiptare të kokainës veprojnë kryesisht në mënyrë autonome nga grupet e  tjera të Ballkanit (edhe pse në disa raste bashkëpunojnë.)
    Raporti vijon më tej, duke theksuar se grupet shqipfolëse mund të menaxhojnë rrjetet e shpërndarjes së kokainës në të gjithë Evropën dhe të formojnë marrëdhënie të drejtpërdrejta me furnizuesit në Amerikën Latine.

    Autoritetet nga Mbretëria e Bashkuar identifikuan grupet shqiptare në veçanti, midis kriminelëve nga Ballkani, dhe vlerësuan se ata kishin krijuar kontroll të konsiderueshëm mbi drogën në Mbretërinë e Bashkuar.

    Që nga viti 2010, Italia, Gjermania dhe Belgjika i kanë identifikuar shqiptarët në mesin e 10 kombësive  të individëve të cilët janë të dyshuar për veprat penale të trafikut të kokainës.

    Në vitet e fundit një rol i tillë është raportuar edhe nga Austria, Bullgaria, Greqia dhe Zvicra.

    Italia gjithashtu identifikoi grupet shqiptare si më aktive, që nga viti 2018, midis grupeve të huaja të përfshira në trafikimin dhe shpërndarjen e drogës, dhe i vlerësoi si grupe që bashkëpunojnë me organizatat vendase në këtë drejtim të veprimtarisë.

    Në vitin 2018, Italia gjithashtu regjistroi një rritje të kokainës të kapur në kufijtë tokësorë, veçanërisht në verilindje. Autoritetet italiane i atribuuan këto rritje të trafikimit  grupeve ballkanike, siç janë shqiptarët, grupet serbo-malazeze dhe bullgare, gjithnjë e më shumë të  përfshirë në importimin e sasive të mëdha të kokainës nëpërmjet  rrugëve detare që derdhen në portet e detit Egje, shkruan Gazeta SHQIP.

    Në Gjermani, aktivitetet e grupeve shqipfolëse duket se janë të fokusuara në trafikun e drogës, dhe konkretisht kokainën.

    Autoritetet gjermane vlerësuan se, grupet e dominuara nga shqiptarët të zbuluar në 2019, renditeshin në vend të dytë pas grupeve gjermane që merren me aktivitetin t paligjshëm të trafikut të kokainës (66 grupe aktive në trafikun e drogës nga 171).

    Përveç kësaj,  grupet shqiptare u renditën në vendin e dytë  për veprat penale të lidhura me kokainën.

    Belgjika raportoi se grupet shqiptare përtej nxjerrjes së kokainës nga portet, ishin përfshirë në eksportimin e kokainës në Itali dhe Shqipëri (që nga viti 2018) .

    Greqia raportoi se, që nga viti 2018, rreth 35 për qind e anëtarëve individualë të grupeve kriminale të përfshira në trafikun e kokainës ishin me kombësi  shqiptare.

    Në 2017 dhe 2018, autoritetet gjermane kryen një hetim në një grup, të përbërë kryesisht nga shqiptarë , të cilët importonin sasi të mëdha të kokainës, nën mbulimin e dërgesave të bananeve, nga Ekuadori permes portit të Hamburgut.

    Lidhja me Ngrangheta – Bandat e përbëra nga kriminelë shqipfolës besohet se kanë përdorur lidhjet e tyre të ngushta me Ndrangheta Italiane, siç sugjerohet nga burimet e mediave, për të marrë kokainë nga Amerika Latine, shkruan Gazeta SHQIP.

    Të arrestuarit për trafik kokaine, Shqipëria e para në listë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!