Festa e Krrabës, Veliaj: Kur vij këtu, fushata më ecën mbarë

Një fundjavë ndryshe, afër natyrës dhe ushqimit bio të zonës, por jo larg kryeqytetit! Krraba mikpriti sot dhjetëra qytetarë të ardhur nga Tirana dhe zonat përreth për të festuar ardhjen e pranverës, përmes një sërë aktivitetesh që promovojnë natyrën.


Për këtë qëllim, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit kishin organizuar aktivitete për çdo moshë. Festës iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili falënderoi Krrabën për mikpritjen dhe u shpreh se ky është një ogur i mirë edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore të 30 qershorit.

“Është gjithmonë kënaqësi të vij në Krrabë. E para, se fushata më ecën mbarë. Kështu, e nisa dhe herën e fundit dhe shkoi perfekt. Fillojmë me këtë takim madhështor 100 ditë sprint, deri në datën 30 qershor. Nuk i bëjmë gjërat për inatin e të tjerëve, i bëjmë për dashurinë tonë. Për dashurinë me njëri-tjetrin. Ndaj, edhe gjithë vëllezërit dhe motrat që janë demokratë apo kanë bindje të tjera, duam t’ju themi që ne ju duam shumë, do t’ju shërbejmë njësoj, sepse besoj që Tirana është vend për të gjithë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se reforma territoriale ishte një nga reformat më pozitive dhe që ndihmoi më së shumti njësitë e vogla.

“Reforma që na bashkoi me Tiranën ishte gjë e mirë; na dha mundësinë që të bënim rrugën, në të cilën nuk ishte vënë dorë që nga vitet ’60-’70. Si vend i vogël që është Krrabë nuk i kishte mundësitë ta bënte vetë. Por, oreksi vjen duke ngrënë, u bë rruga, tani duhet të bëjmë lidhjen me autostradën.

Ai u shpreh se veç organizimit të festave të tilla, e rëndësishme për të zhvilluar turizmin në këto zona është edhe zhvillimi i infrastrukturës.