×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Historia e panjohur e pilotit shqiptar “që pa vdekjen me sy”: Si u rrëzova me avionin luftarak në malet e Shkupit

    Reporteri
    28 Janar 2020 | 10:01

    Memorie.al publikon historinë e panjohur të pilotit Hasan Mete Shyti, i cili pasi ishte diplomuar në Pançevo të Jugosllavisë dhe Akademinë e Aviacionit të Bashkimit Sovjetik, shërbeu për më shumë se 30 vite si ushtarak me gradën e majorit në detyra të larta, si shef Shtabi i Regjimentit të Aviacionit dhe i Zbulimit Ajror në Mbrojtjen Kundërajrore të Shtetit, e pedagog në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu” në Tiranë.


    Dëshmia e tij për ngjarjen e rrallë të ndodhur në majin e largët të vitit 1948, kur ai studjonte në Akademinë Ushtarake të Aviacionit në vendin fqinjë, ku gjatë një stërvitje me avionin e tij u rrëzua në kodrat në periferi të qytetit të Shkupit dhe Komandanti i Regjimentit Ajror 113-të të Armatës Jugosllave, Llazaravski i tha: ”Kam marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore dhe kam parë avionë të rrëzohen, por asnjëherë nuk do besoja të shikoja që të ngrihej piloti në këmbë…”

    “Tekniku i avionit Sokrati që ishte shoku im, më lidhi aq fort në ndejtësen e pilotit, sa që kujtova se nuk do të lëvizja më dot për të kryer manovrimet e duhura në kabinën e aeroplanit.

    Ndërkohë në radio-komandanti i skuadriljes, Stanisavleviç një serb propotent, më thërriste që të dilja në start. Pasi bëra tre pikjata, papritmas në pikjatën e katërt, motorri i avionit u ndal dhe helikat pushuan së rrotulluari. Mendova se ishte difekt dhe sipas instruksionit duhet të gjeja një vend të shtruar jashtë aerodromit për tu ulur.

    Të hidhesha me parashutë ishte e pamundur, se nuk kisha lartësinë e duhur. Duke u afruar me tokën, tërhoqa fort timonin nga vetja dhe aeroplani u përplas mbi një kodër. Sytë mu errën dhe i mbylla instiktivisht”.

    Kështu e kujtonte Hasan Mete Shyti, një nga pionierët e Aviacionit Luftarak shqiptar, atë ngjarje të largët ku jeta e tij ishte në “fije të perit” dhe askush nga kolegët e tij që nxituan për t’i ardhur në ndihmë, nuk do u besonte syve kur e panë atë se kishte shpëtuar i gjallë?!

    I diplomuar në akademitë e Aviacionit Luftarak të Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, pasi kaloi mbi 30 vite të jetës së tij si ushtarak i kësaj arme, me detyra të larta si shef Shtabi i Regjimentit të Aviacionit dhe i Zbulimit Ajror në Mbrojtjen kundërajrore të Shtetit, e pedagog në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”, Hasan Mete Shyti nuk mund ta harronte lehtë atë ngjarje tragjike kur në 19 majin e vitit 1947 teksa ishte duke kryer një qitje luftarake me avion, u rrëzua në kodrat e Shkupit.

    Po kush është Hasan Shyti, cila është e kaluara e tij dhe si ndodhi ngjarja që për pak u kthye në një tragjedi të rëndë që do t’i kushtonte jetën dhe si mundi të dalë i gjallë ai nga rrënojat e avionit? Lidhur me këtë dhe të tjera ngjarje nga jeta e tij, Memorie.al i sjell në këtë shkrim sipas dëshmive dhe kujtimeve të tija që na i ka dhënë vite të shkuara.

     Student në Korçë dhe partizan

    Hasan Shyti lindi në 14 shkurt të vitit 1925 në fshatin Tragjas të Vlorës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij, tepër e njohur në atë zonë. Pasi mbaroi shkollën fillore në fshatin e tij Tragjas në vitet 1933-‘38, Hasani fitoi një konkurs për të ndjekur mësimet në Liceun shtetëror të Korçës. Në atë Lice, Hasani së bashku me shokët e tij: Dalan Shapllo, Esat Golemi, Foto Çami, Hysen Baboçi etj., ndoqi për dy vjet mësimet dhe në vitin 1940-të, ai u transferua në Liceun e qytetit të Gjirokastrës, deri sa e mbaroi në vitin 1943. Pas diplolimit Hasani u kthye në fshatin e tij, ku familja Shyti si shumë familje të tjera të njohura të asaj krahine, ishte e lidhur ngushtë me Lëvizjen Antifashiste. Hasani së bashku me bashkëfshatarin dhe shokun e tij të ngushtë, Niko Hoxha (vite më më pas një nga aviatorët më të mirë të Shqipërisë), dolën partizan në çetën e “Rinisë së Vlorës”, që komandohej nga Mehmet Jaho, i njohur ndryshe me pseudonimin “Luftar Bolena” dhe po së bashku me Nikon më 8 gusht të vitit 1943, u pranuan në rradhët e Partisë Komuniste Shqiptare në qarkorin e Vlorës. Gjatë viteve të Luftës, Hasani mbajti lidhje të vazhdueshme dhe bashkëpunoi ngushtë me krerët kryesor të Lëvizjes Antifashiste të rrethit të Vlorës, si Kastriot Muço, (Heroi i Popullit) Shyqëri Alimerko (Hero i Popullit) Bejto Isufi, Arif Hasko, Reiz Malile etj., duke marrë pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi çeta e tyre në krahinës së Vlorës.

    Në Pançevo të Jugosllavisë

    Pas mbarimit të Luftës, në tetor të vitit 1945, Hasani së bashku me një grup ish partizanësh, u dërguan për të ndjekur studimet në shkollën e Aviacionit Luftarak në Pançevo të Jugosllavisë. Në këtë shkollë së bashku me Hasanin, ishin si student dhe Babaçe Faiku (më pas piloti i parë i Enver Hoxhës) Sazan Xhelo, Vasil Trasha, Peço Polena, Irakli Grazhdani, Mili Gribizi etj. Pas mbarimit të asaj shkolle ku Hasan Shyti u diplomua me rezultate të larta, në nëntorin e vitit 1947, duke qenë se në Shqipëria akoma nuk ishte themeluar Aviacioni Luftarak, ai u emërua si pilot në Regjimentin Ajror Jugosllav 113-të, që ishte i instaluar në afërsi të Shkupit, në përbërjen e Federatës së Jugosllavisë. Në këtë regjiment, Hasanit do t’i ndodhte një ngjarje e rëndë tepër tragjike, gjë e cila për pak i kushtoi jetën dhe erdhi pas një fluturimi me një avion “Jak-9M” gjuajtës, gjatë një stërvitje me municion luftarak në një poligon afër qytetit të Kumanovës. Po si ndodhi ajo ngjarje dhe si mundi të shpëtonte i gjallë pilot Hasan Shyti, pasi avioni i tij nga një lartësi prej 1000 m, u përplas mbi kodrat e qytetit të Shkupit?

    Defekti gjatë fluturimit

    Ajo histori e largët që ndonëse nuk pati viktima, përbën një nga fatkeqësitë e para të aviatorëve shqiptarë, e cila do të vazhdonte deri në fillimin e viteve ‘90-të me afro 32 pilotë që humbën jetën për shkak të tragjedive ajrore me avionët e tyre. Hasan Shyti, piloti i parë shqiptar që pati fatin e keq të rrëzohej me avionin e tij, e kujtonte kështu atë ngjarje:

    “Ishte data 19 maj e vitit 1948. Dita ishte e ngrohtë dhe me diell e aerodromi ishte i mbuluar me gjelbrimin pranveror. Ne pilotët shqiptarë që ishim në atë vend të huaj na thuhej: ‘Ta mbrojmë që këtej Shqipërinë’. Atë ditë kishim një qitje ajrore me municion luftarak kundër objekteve tokësore që ishin në një poligon i cili ndodhej buzë rrugës hekurudhore, bri kodrave të Kumanovës.

    Pasi hipa në avion, Sokrati shoku im shqiptar që kryente detyrën e teknikut, i ndodhur në vend-qëndrimin e aeroplanëve, erdhi tek unë që të më ndihmonte të nisesha për fluturim. Ai duke kënduar një këngë dashurie në gjuhë serbe, më lidhi aq fort në kabinën e aeroplanit, saqë unë nuk lëvizja dot dhe në një moment mendova se do të më pengonte për të kryer lëvizjet e duhura në kabinë, si hapjen e mbylljen e rrotave dhe komandimin e pilotimit.

    Ndërkohë në radio më thërriste komandanti i skuadriljes, një kapiten serb tepër propotent i quajtur Stanisavleviç. Ashtu i sikletosur nga lidhja që më kishte bërë Sokrati, dola në start dhe i dhashë gaz avionit e pas 30 km. fluturimi, u gjenda mbi poligonin e qitjes i cili ndodhej buzë rrugës hekurudhore që shkon në Kumanovë, në një reliev kodrinor. Pasi ndodhesha në lartësinë 1000 m. hyra në lidhje me shefin e qitjes që ishte dhe udhëheqësi i poligonit, kapitenin serb Sekuliç dhe fillova menjëherë qitjen.

    Duke kaluar avionin në pikjatë, vura re se sytë e mi korrespondonin në vijë të drejtë me shënjestrën dhe objektivin. Avioni “Jak-9M” me të cilin fluturoja, ishte i tipit gjuajtës dhe kishte si armatim një top 20 mm. dy mitraloza 12.7 dhe dy bomba 100 kg.-she.

    Pasi bëra tre pikjata, papritmas vura re se në pikjatën e katërt, motorri u ndal dhe helikat pushuan së rrotulluari. Gjatë qitjes unë i kisha konsumuar të 20 predhat e topit dhe kjo gjë më jepte mundësinë që unë të përpiqesha që ta ulja avionin në një vend të shtruar jashtë aerodromit, ashtu siç ishte dhe instruksioni. Ndërkohë shumë mendime të shpejta më vinin në kokë: Të ulesha apo të hidhesha me parashutë? Të hidhesha me parashutë, duhej të kisha lartësinë e duhur, gjë që më mungonte dhe e vetmja mënyrë ishte që të përpiqesha të ulesha bashkë me avionin”, kujtonte çastet e para të aksidentit, majori në pension, Hasan Shyti.

    Si i shpëtoi vdekjes?!

    Po çfarë ndodhi më pas me pilotin Hasan Shyti, si manovroi ai me avionin e tij luftarak dhe si mundi që të dilte i gjallë nga rrënojat e aeroplanit që ra nga lartësia 1000 m. mbi kodrat e qytetit të Shkupit?! Lidhur më këtë, Hasan Shyti kujtonte: ”Teksa avioni po i drejtohej me shpejtësi tokës, unë u përpoqa që të bëja një rrotullim 360 grad, të cilin nuk e arrita dot. Mezi munda që të kthehesha në 90 grad duke e çuar avionin në pozicionin transversal me poligonin e qitjes.

    Ndërkohë shefi i poligonit më fliste por unë nuk e kuptoja mirë. Duke humbur lartësitë, provova që të ndizja përsëri motorrin, gjë që ishte krejt e pamundur. Hoqa kabllin e radios nga foleja dhe hapa kabinën. Duke u afruar me tokën, tërhoqa timonin nga vetja për tu ulur. Lëshova shitkat dhe aeroplani u përplas rëndë në kodër. Sytë mu errën dhe i mbylla instiktivisht. Më dukej se po e humbisja. Në këto momente e ndjeva veten të hedhur jashtë aeroplanit, si një copë e zakonshme e rrokullisur bashkë me kabinën. Humba ndjenjat. Nuk mbaj mënd se kur u përmenda. Nuk kujtoja se çfar kishte ngjarë dhe ku isha. Rreth meje shtriheshin copat e avionit të shkatërruar. Isha gjallë?! Menjëherë u zgjidha shpejt e shpejt dhe fillova që të prekja me dorë gjymtyrët dhe trupin. Nuk ndjeja të kisha as një dhimbje.

    Pranë meje u shfaq një burrë i moshuar me djalin e tij. Ishte çoban kosovar dhe më foli në gjuhën serbe, pasi më pandehu si të tillë: Ç’bërë kështu more djalë?! Në fillim nuk ndjeva, por kur më pyeti se nga isha, i thashë se isha shqiptar. Ai mu drejtua përsëri duke më thënë: Pse ke ardhur këtu mor djalë, të lësh kockat tek shkjau? Unë ashtu i përhumbur ju përgjigja: Bashkim-vëllazërim xhaxha, po mbrojmë Shqipërinë me aeroplanë. Ndërkohë mbërriti udhëheqësi i poligonit, Sekuliçi dhe kosovari me djalin e tij u larguan. Teksa po ngrihesha për t’i raportuar, ai nuk j’u besonte syve kur më pa në këmbë dhe nuk dinte çfar të thoshte. Mbas pak shqiptoi: Shyqyr o djalë që shpëtove se aeroplanin do ta bëjmë prap. Këto fjalë të ngrohta të thëna me zemër në atë çast, ishin një inkurajim për mua në ato momente”, kujtonte Hasan Syti, një nga pilotët e parë shqiptar që pa vdekjen me sy.

    Jugosllavët: Si u ngrit piloti?

    Pas rrëzimit me avion, për pilotin shqiptar Shyti, që i shpëtoi për mrekulli vdekjes, nga ana e jugosllavëve u tregua një kujdes i veçantë. Lidhur me këtë ai kujtonte: ”Duke më kontrolluar me sy nga koka te këmbët, Sekuliçi çuditej për gjëndjen time të mirë. Siç mora vesh më pas, ai kishte lajmëruar në aerodrome, se në poligonin Nr.52, kishte ndodhur një ngjarje e rëndë. Nuk e di sa kohë kishte kaluar kur dy aeroplanë PO-2, u ulën në poligon. Me to erdhën gjashtë vetë, anëtar të komisionit të verifikimit të ngjarjes së jashtëzakonshme. Pasi më pyetën rreth aksidentit dhe gjëndjes sime shëndetësore, më thanë që të shkoja e të qetësohesha.

    Pastaj kapiteni serb, Sekuliç, më mori në aeroplanin e tij PO-2 dhe më dërgoi në aerodrom. Kur shokët e mij më panë në derën e avionit, nuk mund ta përshkruaj habinë e tyre dhe britmat e gëzimit. Atje ishin mbledhur të gjithë shokët e mij shqiptarë dhe jugosllavë, tepër të trishtuar për ç’ka kishte ngjarë dhe dëgjonin të çuditur për atë ngjarje që ishte e para e atij lloji që nga krijimi i Regjimentit Ajror 113-të. Vasil Trasha, shoku im (vdiq më pas në moshë shumë të re, në një aksident ajror në Kuçovë) më shoqëroi për në infermieri bashkë me Sekuliçin. Doktori sa filloi të më vizitonte më tha se kisha pësuar shëmbje. Gjurmët e nxira të shëmbjes dukeshin në trup në të gjitha vendet e lidhjes së kabinës e në kyçe. Asokohe ne pilotët shqiptar, jetonim në një shtëpi private në Shkup. Atë natë kur flija shikoja ëndërra, sikur futesha në pikjatë në mal dhe zgjohesha i tmerruar.

    Pas tre ditësh shkova përsëri në aerodrom dhe pashë që copat e aeroplanit i kishte mbledhur Muharrem Spaho me të tjerët, të cilat i kishin çuar atje si trofe. Sokratin nuk e shihja gjëkundi, ndonëse lidhja e tij e fortë më kishte shpëtuar jetën. Vura re se komandanti i skuadriljes, Stanistavleviç, nuk më kishte planifikuar për fluturim. Ai më tha se problem im do të shikohej edhe një herë, por unë ngula këmbë dhe protestova duke thënë se duhet të vazhdoja pilotimin. Këtë kërkesë timen e mori vesh dhe komandanti i Regjimentit që ishte aty pranë, i cili kur më takoi, pas asaj që ndodhi më tha: Kam marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore dhe kam parë shumë avion të rrëzohen, por asnjëherë nuk besoja të shihja të ngrihej piloti në këmbë?!. Më pas duke parë se tronditja ime ishte e madhe, ata më dërguan në një shtëpi pushimi malore afër Mariborit në kufi me Austrinë, ku do të kisha kohë të qetësohesha”. Kështu e mbylli rrëfimin e tij, majori në pension, Hasan Shyti, një nga pionierët e Aviacionit Luftarak Shqiptar, që pa vdekjen me sy, teksa fluturonte me avionin e tij gjatë një stërvitjeje mbi kodrinat e Shkupit, në majin e largët të vitit 1948-të, në kohën kur dy popujt, shqiptar dhe jugosllav, jetonin në “Bashkim-vllazërim”!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!