Ish-ministri e mposht coronavirusin, është aq mirë sa thumbon opozitën

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është shëruar nga coronavirusi. Lajmi është bërë publik nga vetë ish-ministri përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”.


Xhafaj ka treguar se pas disa javësh izolim për shkak të infektimit me COVID-19, ditën e djeshme arriti të dalë nga shtëpia për të kaluar një fundjavë me familjen.

“Pas disa javë izolim për shkak të përballjes me Covid-19, dje ishte një pasdite e bukur familjare. Së bashku me bashkëshorten, ja kushtuam mbesës sonë të ëmbël Lora të cilës i patëm premtuar që do ta zbukuronim bashkërisht pemën festive të fundvitit. Ato orë dritash e ngjyrash bëheshin akoma e më të shndërritshme mes buzëqeshjeve të Lorës të cilat janë ilaçi më i mirë i ditëve të vështira. Padyshim, betejat me Covid-in s’janë veç mjekimi por edhe reflektimi për të kuptuar forcën e dashurisë dhe solidaritetit shoqëror”, shkruan Xhafaj.

Sakaq, ai iu ka drejtuar një mesazh politikanëve dhe shoqërisë civile, duke iu thënë se është koha për paqe, qetësi dhe solidaritet njerëzor në këtë periudhë pandemie.

“Njerëzit kanë nevojë për distancë sociale, maskë, mjekime e fatkeqësisht jo rrallë edhe për oksigjen, por mbi të gjitha kanë nevojë jetike për paqe, qetësi dhe veçanërisht për solidaritet njerëzor nga secili prej nesh. Më shumë se asnjëherë tjetër. Gjithë bota po jeton ditë të vështira me shëndetin, e ne akoma edhe më të rënda për shkak të klimës politike, mllefit të skajshëm dhe urrejtjes që derdhet çdo ditë ekranesh. Lufta për pushtetin s’mund të shkelë mbi anën njerëzore në emër të shëndetit.

Koha të çlirohemi të gjithë: Politika, media dhe shoqëria civile ku secili prej nesh të mendojë se si t’ua bëjmë këto ditë me më pak stres qytetarëve shqiptarëve, e veçanërisht atyre që kanë aq shumë nevojë për më shumë kujdes dhe mbështetje”, shkruan ish-ministri.

Në përfundim të postimit, Fatmir Xhafaj, ka thumbuar edhe liderin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili deklaroi disa ditë më parë se po fshihet numri real i viktimave të shkaktuar nga COVID-19.

“Në vend të kalkulimeve çnjerëzore mbi dinjitetin e viktimave, duhet të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë ekonomike, përkujdesje sociale, por sigurisht edhe sa më shumë atmosferë festive për dashurinë ndaj jetës. Shqiptarët e meritojnë plotësisht. Veçanërisht fëmijët“- thotë Xhafa.