×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ia ‘vjedh’ fjalimin Gent Cakajt

    Reporteri
    15 Maj 2019 | 19:30

    Në një hulumtim që ka bërë Gazeta “Shqip” online, ish-Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka nisur të shesë platforma dhe ide politike sikur të ishin të tijat.


    Para dy ditësh, Bushati ka publikuar një shkrim në Gazetën Panorama dhe rrjetet sociale për samitin e Berlinit, i mbajtur para pak javësh, ku ka analizuar edhe ndryshimin e ashtuquajtur të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Por, në një paragraf të shkrimit, edhe pse jo në mënyrë origjinale, i gjithë konteksti është shkëputur nga një deklaratë e Cakajt gjatë një interviste televizive të realizuar shumë muaj më parë në Klan Kosova.

    Mjafton që të lexohen të dy paragrafët (i Cakajt dhe i Bushatit), për të kuptuar se ky i fundit përdor njëfarë plagjiature të përpunuar, me të njëjtën ide, veç se ndryshon konteksti.

    Duke qenë në hije muajt e fundit, me detyrën e vetme për drejtimin politik të qarkut të Shkodrës, Ditmir Bushati kërkon të jetë ende aktiv në politikën e jashtme si ish-ministër, por me sa duket fantazia për të shkruar duket se i mungon.

    Dhe në rastin konkret ka gjetur një mënyrë më të thjeshtë për të marrë fraza që nuk janë të tijat nga ish-vartësi i tij, i cili duket më me përvojë në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

    Paragrafi i Gent Cakajt

    “Sepse janë tri lloje të kontesteve bilaterale në rajon. E para është kontestet e trashëguara historikisht prej vitit 1940 kur Greqia e miraton Ligjin e Luftës në raport me Shqipërinë dhe ai formalisht është ende në fuqi. Këto janë konteste të trashëguara prej Luftës së Dytë Botërore.

    Janë kontestet sikur ta zëmë midis Kroacisë dhe Sllovenisë që sot janë anëtare në Bashkimin Europian, të cilat janë të trashëguara prej shpërbërjes së Jugosllavisë, përkatësisht kontestet e tyre territoriale

    Dhe janë konteste të tjera që lidhen me funksionalitetin apo shtetndërtimin, siç është rasti i funksionalitetit në Bosnje dhe shtetndërtimit në Kosovë”.

    Paragrafi i Ditmir Bushatit

    “Në Ballkanin Perëndimor kemi tri lloj mosmarrëveshjesh, të cilat nuk duhen ngatërruar me njëra-tjetrën.

    Natyra e parë e mosmarrëveshjeve e ka origjinën tek Lufta e Dytë Botërore, siç është për shembull rasti i Shqipërisë me Greqinë. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Greqia ka vendosur një Ligj Lufte ndaj Shqipërisë, ligj që prodhon efekte edhe sot pavarësisht se të dyja vendet janë anëtare të NATO-s. Të dyja vendet po trajtojnë në një paketë çështje që burojnë që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot.

    Natyra e dytë e mosmarrëveshjeve e ka origjinën te shpërbërja e ish-Jugosllavisë, siç është për shembull rasti i Sllovenisë dhe Kroacisë; Kroacisë dhe Malit të Zi; Bosnjës dhe Serbisë; Kroacisë dhe Bosnjës, që kryesisht kanë lidhje me çështje kufitare dhe trajtimin e pasojave të luftës.

    Natyra e tretë e mosmarrëveshjeve ka lidhje me subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar, siç është rasti i Kosovës apo funksionaliteti i Bosnjë-Hercegovinës”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!