×
  • Lajme
  • Shqipëria

    “Ish-ushtarakë dhe ish-punonjës policie të përfshirë”, Veliu: Ja si ndodhi konflikti në Elbasan

    Reporteri
    22 Prill 2021 | 15:43

    Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar për konfliktin me armë dje në Elbasan me një të vdekur e katër të plagosur. Ka qenë vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu i cili ka dhënë detaje nga ngjarja.


    Sipas policisë dje rreth orës 14:00, janë njoftuar shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nga shtetasi Arjan Hoxha, i prezantuar si përgjegjës i sigurisë për shtabin elektoral të subjektit politik Partia Demokratike për qarkun Elbasan, se në rrugën “Lef Nosi”, në qytetin e Elbasanit, kishte një incident me disa persona.

    “Nga ana e Policisë është vlerësuar informacioni dhe menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë një patrullë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe dy zv.drejtorët e Policisë së qarkut, ai i Hetimit dhe ai i Sigurisë.
    Në vendngjarje, shtetasi Arjan Hoxha është shkëputur nga grupi i personave që e shoqëronin dhe ka komunikuar me punonjësit e Policisë, duke u thënë se ai bashkë me disa persona të tjerë kishin bllokuar një person, për të cilin pretendonin se po kryente veprime për blerje votash për një subjekt politik.
    Po kështu grupi i personave të ndaluar kanë bllokuar qarkullimin e automjetit fuoristradë “ML” të drejtuar nga shtetasi M. G., duke i prerë rrugën, marrë çelësin e automjetit. Ndaj këtij shtetasi dyshohet se janë kryer veprime të kundërligjshme të heqjes së paligjshme të lirisë, nëpërmjet dhunës të kryer në bashkëpunim.
    Shtetasi Arjan Hoxha ka qenë i shoqëruar nga shtetasit Arbër Paplekaj, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa dhe Nuredin Kasma, pjesa më e madhe e të cilëve janë ish-ushtarakë dhe ish-punonjës policie dhe nuk janë banorë të qarkut Elbasan.
    Gjithashtu këta shtetas kanë deklaruar se janë vullnetarë të mbrojtjes së votës për Partinë Demokratike. Ata qarkullonin me tre furgonë të bardhë dhe të loguar me siglën e kësaj force politike.
    Pas mbërritjes së forcave të Policisë, konflikti i nisur më parë u përshkallëzua deri në përdorimin e armëve dhe për pasojë ka mbetur i varrë shtetasi Pjerin Xhuvani dhe janë plagosur shtetasit Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe punonjësja e policisë e forcës së posaçme “Shqiponjat”, Xh. S”, deklaroi Veliu.

    Ai tha më tej se nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 20 gëzhoja të kalibrave 9 dhe 11.1 milimetra, 4 predha, tre furgonë me logo të subjektit politik Partia Demokratike, automjeti fuoristradë “ML” pa targa dhe një automjet tjetër tip “Benz”, 11 telefona celular, pamje filmike etj.

    “Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale shtetasit Arbër Paplekaj i është sekuestruar edhe një armë zjarri e tipit “Glock” .
    Nga këqyrja e automjetit tip “ML Benz” pa targa, i gjetur në vendngjarje, grupi hetimor nuk ka konstatuar sende të kundërligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshim për shitblerje të votës. Këto prova po i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore.
    Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, nga grupi i posaçëm hetimor vijon puna intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje”, u shpreh Veliu.

    Ai theksoi se Policia e Shtetit do vijojë me forcën e ligjit për të mbajtur nën kontroll të plotë territorin, do të reagojë ligjërisht dhe proporcionalisht ndaj kujtdo që kërcënon, intimidon apo shkel ligjin dhe do të krijojë të gjitha kushtet që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!