×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Jepet alarmi: Rrezikohet të mbyllet eksporti i peshkimit për Shqipërinë

    Reporteri
    22 Janar 2020 | 10:36

    Kontrolli i Lartë i Shtetit bën “për ujë të ftohtë” ministrinë e Bujqësisë sa i takon performancës në Kuadër të Zbatimit të Politikave të Peshkimit dhe Akuakulturës”.


    Në konkluzionet e publikuara KLSh jep alarmin se rrezikohet të mbyllet eksporti i peshkut

    “Anijet e peshkimit kryejnë aktivitet pa qenë të pajisura me pajisjen përkatëse të identifikimit dhe lokalizimit automatik kjo në kundërshtim me Ligjin nr. 64/2012 “Për peshkimin”, i ndryshuar. Si i rezultat është e pamundur të kryhet vëzhgimi i aktivitetit të anijeve të peshkimit, identifikimi dhe lokalizimi i tyre automatik pasi ato nuk mund të transmetojnë automatikisht të dhënat mbi identifikimin, datën dhe orën e pozicionit, shpejtësinë dhe kursin e anijes, të dhënat mbi të gjitha sasitë për secilin lloj të zënë dhe të mbajtur në bord, etj. Mungesa e sistemit të sinjalizimit satelitor rrezikon të mbyllë eksportet e peshkut për Shqipërinë, duke e klasifikuar aktivitetin e peshkimit si të paligjshëm, pa regjistruar dhe parregulluar.”

    Jo vetëm kaq aktiviteti i peshkimit dhe akuakulturës nuk monitorohet me inspektim dhe kontroll 24 orë si rezultat Inspektorët e Peshkimit nuk mund të kontrollojë peshkimin e paligjshëm, të paregjistruar dhe të pa raportuar, transmeton oranews.

    “Inspektorati i Peshkimit nuk ka burime njerëzore të mjaftueshme dhe mjete logjistike të përshtatshme e bashkëkohore për të inspektuar të gjithë vijën bregdetare që ka vendi ynë, sipërfaqen e ujërave të brendshme dhe zinxhirin e aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës (inspektim në det, në port, në pikat e grumbullimit dhe tregtimit të produkteve peshkore). Mos prania e inspektorëve në momentin e kthimit të anijeve të peshkimit është një tjetër problem që nxit shkelje të tjera të legjislacionit të peshkimit. “

    Problematika me portet e peshkimit

    Në raport thuhet se portet e peshkimit të vendit tonë menaxhohen në mënyrë jo efektive dhe kanë probleme të dukshme në infrastrukturë.

    Asnjë nga katër portet e peshkimit nuk ka kapacitet e duhura ankoruese për të gjithë flotën e peshkimit. Këto hapësira zvogëlohen edhe më shumë duke marrë parasysh anijet e zhytyra (portet e peshkimit Vlorë dhe Shëngjin), zënien e hapësirave të ankorimit nga mjetet private turistike (porti i peshkimit VLorë) apo mungesën e bankinave ankoruese.

    Asnjë nga katër portet e peshkimit nuk ka kantier për riparimin e anijeve të peshkimit (as në portin e ri të peshkimit Durrës i bërë funksional në janar të vitit 2019). Peshkatarët duhet të gjejnë në mënyrë individuale mundësitë e riparimit dhe kjo përbën një problem madhor për zotëruesit e mjeteve të peshkimit duke pasur parasysh moshën e vjetër që ka flota jonë e peshkimit (mosha e flotës 40 vjeçare krahasuar me mesataren e BE-së prej 21 vjeçare) dhe kostot që ka për peshkatarët riparimi i tyre.

    Të gjitha portet e peshkimit kanë probleme në furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

    Në portin e peshkimit Vlorë një pjesë e konsiderueshme e hapësirave është e zënë me mjetet e sekuestruara nga Policia Rrugore.

    Në Vendimin e Kryetarit të KLSH-së për auditimin e performancës “Performanca e MBZHR-së në kuadër të zbatimit të Politikave të Peshkimit dhe Akuakulturës” janë dhënë 43 rekomandime për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe për Drejtorinë e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës.

    Këto rekomandime synojnë reduktimin e problemeve të ngritura në këtë auditim dhe përmirësimin në tërësi të situatës aktuale të aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës.

    Rekomandimet kryesore kanë konsistuar në plotësimin e kuadrit ligjor të peshkimit dhe akuakulturës, riorganizimin e duhur strukturor të MBZHR-së në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Peshkimit, mbulimin me inspektim të të gjithë zinxhirit të aktivitetit të peshkimit dhe sigurimin e mjeteve logjistike në dispozicion të inspektorëve të peshkimit si dhe përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme të porteve të peshkimit dhe ekonomive të akuakulturës.

    Raporti

    Kontrolli i Lartë i Shtetit në dhjetor të vitit 2019 përfundoi auditimin e performancës me temë “Performanca e MBZHR-së në Kuadër të Zbatimit të Politikave të Peshkimit dhe Akuakulturës” të ushtruar në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe në institucionin e varësisë Drejtorinë e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës. Ky auditim është miratuar nga Kryetari me Vendimin nr. 166, datë 28.12.2019.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!