×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Kush është kapo i bandës në arrati që mund te fshihet pas grabitjes së 10 milionë eurove në Rinas

    Reporteri
    09 Prill 2019 | 19:50

    Supergrabitja e 990 mijë euro e kryer në 30 qershor 2016 brenda pistës së aeroportit “Nënë Tereza”, ka një person të pandehur dhe ai quhet Aleks Pepa. Elbasanlliu i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga “Interpol”, cilësohet nga prokurorët e Krimeve të Rënda si “truri” i kësaj grabitje, të ndodhur para syve të shumë personave, të cilët ishin në pritje për të udhëtuar me avion drejt Italisë. Ka dyshime se i njëjti grup ka grabitur me të njëjtën skemë 10 milion euro sot në Rinas.


    Gati 9 muaj pas ngjarjes, policia dhe prokuroria në shkurt të 2017 realizuan një kontroll të imtësishëm në banesën e prindërve të Aleks Pepa, ku gjetën 50 mijë euro brenda në frigorifer, sasi e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë mësohet se për këtë ngjarje autorët kanë përdorur katër makina të vjedhura, mes tyre dhe një furgon. Pepa dhe dy bashkëpunëtorët e tij janë identifikuar nga analizat e ADN-së dhe qelizat telefonike, të cilat kanë vërtetuar se në 30 qershor 2016, autorët janë lokalizuar nga antenat telefonike në zonën e Rinasit. Çështja penale kundër Pepa dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, është hetuar për gati dy vite nga prokurorët Vladimir Mara dhe Olsian Çelaj, të cilët pas administrimit të shumë provave në dosje, kanë vlerësuar që këtë javë të dërgojnë në gjykatë dosjen penale në ngarkim të Aleks Pepa, për akuzën e “Grabitjes me armë të bankave” kryer kjo në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”. Ndërkohë për dy bashkëpunëtorët e tjerë të Pepa, prokuroria mësohet të ketë vendosur veçimin e dosjes penale, duke kryer hetime të mëtejshme, për përcaktimin e rolit të tyre në këtë supergrabitje.

    Kush është Pepa emigranti që u kthye nga Greqia

    Aleks Pepa, është një person që ka punuar si emigrant në Greqi, por në vitin 2015 është kthyer në Shqipëri, dyshohet nga prokuroria të jetë personi kryesor i grabitjes së gati 1 milion eurove në aeroportin e Rinasit. Pepa, ka bashkëpunuar dhe me dy persona të tjerë, të cilët sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, tashmë janë identifikuar dhe shpallur në kërkim. Fotoja e Aleks Pepës, është publikuar dhe në faqen e Interpolit, ku 45-vjeçari thuhet se është nga qyteti i Elbasanit. Ndërkohë informacionet flasin se Aleks Pepa pas kryerjes së grabitjes është larguar nga Shqipëria në drejtim të Rumanisë dhe më tej nuk dihet destinacioni i tij. Për të hedhur dritë mbi itinerarin e tij, Prokuroria e Krimeve të Rënda mësohet se pak kohë më parë i është drejtuar me një letër-porosi, autoriteteve rumune, duke i kërkuar këtyre të fundit për të verifikuar vendndodhjen e Aleks Pepës, ose drejtimin e udhëtimit të tij nga Rumania e tutje. Identifikimi i Pepës është bazuar në analizën e ADN-së së një fije floku, të gjetur në paruken e hedhur pas grabitjes. Nga ana tjetër, burimet thonë se ende nuk ka asnjë adresë mbi vendndodhjen e Pepës dhe dy bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë supergrabitje. Por pavarësisht kësaj, gjykata që prej vitin 2016 ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, pasi provohet implikimi i 37-vjeçarit Aleks Pepa, në grabitje dhe dy personave të tjerë.

    Si ndodhi grabitja brenda pistës, përdorën katër makina të vjedhura

    Në dinamikën që kanë ndërtuar prokurorët, rezulton se dy personat që çanë rrethimin e aeroportit në 30 qershor 2016 dhe hynë brenda territorit të tij me një automjet tip “Benz-Mercedez“ ngjyrë të kuqe, ishin të armatosur. Ata kanë pasur dhe një bashkëpunëtor të tretë, i cili i priste jashtë pistës së aeroportit, me një makinë të vjedhur. Ky person, ka pasur rolin e ndihmësit, për largimin e të tyre dhe humbjes së gjurmëve. Gjatë hetimeve, prokurorët kanë zbuluar se tre autorët kanë përdorur katër makina të vjedhura. Njërën nga makinat e vjedhura e kanë marrë në Pogradec, dy në Elbasan, dhe një furgon në Durrës. Të katra makinat janë përdorur në grabitjen e 30 qershorit 2016, ku tre autorët i kanë ndërruar herë pas herë me qëllim humbjen e gjurmëve dhe shmangies së kontrolleve të policisë. Ata kanë arritur t’ia dalin më së miri, pasi kur janë mbushur më shumë se dy vjet nga ndodhja e ngjarjes, asnjëri prej tre autorëve nuk është arrestuar nga policia e Shtetit. Besohet se Pepa se bashku me një person tjetër kanë këputur me darë çelësat e derës, së rrethimit të aeroportit të Rinasit dhe më pas janë future me një automjet tip Benz ngjyrë të kuqe, duke u afruar në makinat e blindura të një shoqërie sigurie, e cila ishte kontraktuar nga një bankë e nivelit të dytë në Tiranë për të transportuar sasinë e eurove nga Tirana, në drejtim të Rinasit, me qëllim transferimin e shumës financiare jashtë shtetit. Por informacion për këtë lëvizje kanë pasur dhe tre autorët të cilët kanë hyrë me shpejtësi në Rinas dhe menjëherë kanë sulmuar me armë rojet e sigurisë së furgonit të blinduar ku ndodheshin eurot. Shoferi nga frika ka hyrë poshtë furgonit ndërkohë që dy personat të veshur me të zeza, kanë arritur të hapin furgonin dhe të marrin prej andej shumën prej 990 mijë euro.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!