×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Letra e Metës në Venecia: “Harrohet” 25 prilli si datë zgjedhjesh

    Reporteri
    27 Tetor 2020 | 13:34

    Njëmbëdhjetë faqet që Presidenti Ilir Meta i ka dërguar Komisionit të Venecias, ka gjasa që të sjellin jo pak, por një vonesë edhe më të madhe se e pritshmja.


    Kjo, pasi sipas gjasave, Komisioni “Demokracia nëpërmjet Ligjit” i këshillit të Europës, mund të kërkojë sqarime të mëtejshme ose mund ta kthejë kërkesën si mos kompetencë të tij.

    Komisioni i Venecias, i përbërë nga juristë nga më të mirët në botë dhe me një eksperiencë të madhe, kryesisht përgatit opinione për çështje ligjore dhe kushtetuese, por jo për ata politike.

    Nëse shikohen si 8 pyetjet e shtruara nga Presidenti Meta, por edhe sqarimi paraprak i tij për Venecian është tërësisht një qasje politike e Metës dhe nuk flitet për interpretim kushtetues.

    Madje, jo vetëm një interpretim politik, por edhe tërësishëm “partizan” i çështjes që Meta shtron.

    Ja për shembull pyetja e parë: “A mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme rregullat themelore që rregullojnë

    konkurrencën zgjedhore, veçanërisht rregullat në lidhje me transformimin e votave në mandate midis konkurrentëve, pasi të ketë filluar procesi zgjedhor, dhe vetëm 6 muaj para datës së zgjedhjeve? Sa e rëndësishme është qëndrueshmëria e legjislacionit zgjedhor dhe

    njohja e ligjit nga konkurrentët zgjedhorë mjaftueshëm kohë përpara zgjedhjeve, për vet cilësinë dhe besueshmërinë e zgjedhjeve?

    E para pyetja nuk ka shtruar faktin sipas së vërtetës, pasi nuk ka nisur procesi zgjedhor kur u miratuan ndryshimet Kushtetuese, pasi ndryshimet në Kod u bënë pas miratimit të marrëveshjes së 5 qershorit. U miratuan në një seancë.

    Sipas gjasave, Komisioni i Venecias, mund të hartojë një opinion përgjithësues për çështjen, duke dhënë standardet ligjore të Kushtetutës së Shqipërisë dhe parimet e OSBE-së për zgjedhje të lira. Opinion që natyrisht që do të shërbejë nëse lexohet drejt, por tek ne siç ka ndodhur deri më sot, opinionet e Venecias janë lexuar krejt ndryshe nga palët, pasi theksohen ato gjëra që atyre u leverdis.

    Ndërkaq, në sqarimin përpara se të hartohen pyetjet, argumentet e Metës janë edhe më shumë të çuditshme, pasi përmbajnë edhe shprehje të fortë akuzash ndaj qeverisë.

    “Shqipëria është përfshirë në vitet e fundit në një krizë të thellë dhe komplekse të paparë më parë”, e fillon Meta kërkesën e tij drejtuar Venecias.

    Si rregull, Komisioni Demokracia nëpërmjet Ligjit vihet në lëvizje pas kërkesës së një shteti, caktohet relatori, i cili e studion dhe e dërgon në seancë plenare, ku natyrisht kanë kohën e tij.

    Në fakt, ajo që bën përshtypje në letrën e presidentit Meta nuk përmendet data e 25 prillit që është dekretuar si datë e zgjedhjeve parlamentare të reja, por vetëm viti zgjedhor. A po përgatitet, Meta që nëse vonohet procesi të ç’dekretojë edhe një herë zgjedhjet e të vendosë një datë tjetër? Ja ç’thuhet në letrën drejtuar Venecias: “Duke shprehur konsideratën më të lartë për Komisionin e Venecias dhe ekspertët e tij, për rolin thelbësor që Komisioni i Venecias ka luajtur në hartimin e Kushtetutës Shqiptare të vitit 1998 dhe të modifikimeve të vitit 2016, ju kërkoj me mirësjellje Z. President Buquicchio të gjeni, sa më shpejt të jetë e mundur, mënyrat e përshtatshme për të dhënë një opinion i cili mund t’u përgjigjet pyetjeve të mësipërme dhe të ofrojë shanset që zgjedhjet e përgjithshme 2021 në Shqipëri të organizohen në një klimë kushtetutshmërie, legjitimiteti dhe me pjesëmarrjeje demokratike” /Gazeta Shqip

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!