×
  • Lajme
  • Shqipëria

    LSI: Shpresojmë që Basha të mos tradhtojë kauzën opozitare

    Reporteri
    14 Shtator 2021 | 13:51

    Lëvizja Socialiste për Integrim ka hyrë në Kuvend në këtë sesion parlamentar me vetëm katër deputetë, një numër i pamjaftueshëm për formimin e një grupi parlamentar. Zërave se PD refuzoi t’i japë deputetë për të formuar kuotat e nevojshme iu përgjigj sot në “ABC Live”, nënkryetarja e kësaj partie Kejdi Mehemetaj.


    Ajo tha përballë gazetares Juli Xhokaxhi se në fakt LSI nuk i ka kërkuar deputetë hua PD-së, pasi gjykon se mund të bëjë opozitë edhe me numrin e përfaqësuesve që ajo siguroi nga zgjedhjet e 25 prillit. Mehmetaj theksoi se edhe një deputet i vetëm mund të bëjë opozitë duke ngritur kauza në parlament, ndërsa strukturimin në grupe parlamentare e cilësoi një çështje teknike që sipas saj nuk do e pengojë LSI-në në misionin e saj.

    “LSI nuk i ka kërkuar PD-së deputetë hua për të kërkuar një grup parlamentar. Jemi futur në Kuvend me katër deputetë. Gjykojmë që për të bërë opozitë në parlament, nuk është domosdoshmëri për të pasur grup parlamentar. Edhe një deputet I vetëm jo më katër, mund të ngrenë nisma shumë më tepër se një grup me 50-60 deputetë. Ne kemi për të përfaqësuar 107 mijë votat e qytetarëve në të gjithë Shqipërinë që meritojnë të njëjtën vëmendje. Nuk do jetë shqetësim për ndjekësit tanë nëse jemi një grup parlamentar apo jo.

    Të gjithë mekanizmat parlamenti ia ofron edhe një deputeti tjetër. Grupi parlamentar mund të ketë facilitete teknike. Kjo është zgjedhja që LSI ka bërë. Nuk jemi në një situatë kur PD nuk na ka dhënë deputetë por ne nuk kemi kërkuar. LSI edhe përpara zgjedhjeve nuk i ka kërkuar Bashës përfaqësues në lista. Ne kemi qenë të bindur. Ka vetëm një pikë që na vazhdon me Bashën, që të mos tradhtojmë kauzën opozitare. LSI nuk e ka tradhtuar asnjëherë këtë kauzë”, u shpreh ajo.

    Ajo përjashtoi bashkëpunim me Partinë Socialiste, ndërsa edhe njëherë shprehu publikisht votën e katër deputetëve të LSI kundër zgjedhjes së Lindita Nikollës si kryetare Kuvendi, duke bërë që emrat e dy votave që u bashkuan me PS të mbeten enigmë.

    “LSI është kundër modelit qeverisës së Partisë Socialiste. Nuk kemi asnjë arsye që ne prej nesh të votojë pro Nikollës. Mendoj që në këtë pozicion LSI mban qëndrimet esaj dhe nuk ka asnjë arsye të hedhë një votë më pak apo më tepër. Edhe kur u votua për Ruçin, LSI nuk ka marrë pjesë në votim, por sërish Ruçi mori më shumë vota”, u shpreh ajo.

    Mehmetaj nënvizoi se vota e LSI do të jetë opozitare ndërsa u ndal të fliste edhe për largimin e Luan Ramës nga partia, i cili pas 30 vitesh karrierë politike ka vendosur t’i kthehet gazetarisë.

    “Vota jonë do jetë votë opozitare pa asnjë diskutim. Ne do të përfaqësojmë vullnetin e atyre që na kanë votuar. Qëndrimet tona përkundrejt Edi Ramës, nuk përbëjnë asnjë dyshim dhe asnjë pikëpyetje. Luan Rama mbajti një qëndrim publik dhe mbajti përgjegjësitë e tij. Ka njerëz që hyjnë dhe dalin nga politika. LSI nuk ka për të pasur më largime por vetëm afrime. Për shkak të qëndrimit që mbajtëm në fushatë, LSI do të shohë vetëm zgjerim. Ekipi i ri do të marrë një rol të rëndësishëm në vendosjen e kauzave në problemet e të rinjve, problemet e grave dhe arsimit”, tha nënkryetarja e LSI.

    Lidhur me rikthimin e mundshëm të Ilir Metës në krye të LSI, Mehmetaj deklaroi se kjo është një çështje që mund të diskutohet pas korrikut 2022, duke shprehur bindjen se Gjykata Kushtetuese nuk do votojë pro shkarkimit të tij.

    “Ilir Meta është president. Për sa kohë nuk kemi një vendim të gjykayës Kushtetuese që mendoj se nuk do jetë kundra tij. Për sa kohë është president e respektojmë si president. Ai ka themeluar LSI-në. Ne nuk kemi dyshimin më të vogël për të pranuar apo jo atë që ka themeluar LSI-në. Deri në korrik të vitit të ardhshëm duhet të respektojmë rolin e presidentit”, u shpreh Mehmetaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!