×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Makinat e atentateve: 6 ”benza” të vjedhur në Fier e Lushnje

    Reporteri
    19 Tetor 2020 | 22:42

    Gjashtë makina te vjedhura u regjistruan brenda 48 orëve në Fier dhe në Lushnjë, ndërsa disa targa të vjedhura u kallëzuan në qytetin e Durrësit.


    Një teknikë e përdorur nga grupet kriminale për ngjarje të rënda, ndërsa deri më tani policia nuk ka identifikuar asnjë prej vjedhjeve.

    Pandemia si dhe kontrollet e policisë, nëse qytetarët kanë vënë maska ose jo ka bërë që situata kriminale dhe ajo më e rrezikshmja krimet ndaj personit të gjejnë terren të lirë.

    Vetëm përgjatë dy ditëve 6 makina të gjitha të tipit Benz u vodhën mes qytetit të Lushnjes dhe Fierit. Kjo lloj makine e cila përdoret më së shumti në ngjarje kriminale, por edhe që vidhet më lehtësisht ka ngritur në këmbë strukturat e policisë kriminale, por deri më tani vetëm 1 prej tyre është gjetur e braktisur në Divjakë pasi nuk kishin mundur ta transportonin më tej.

    Makinat, sipas policisë, janë të vit-prodhimeve të ndryshme, ndërsa teknika që përdoret për modelet më të reja është ajo e shtyrjes së tyre. Policia dyshon se grabitësit përdorin mjete të tjera dhe shtyjnë makinat deri në një destinacion të caktuar.

    Nga ana tjetër raportime të vjedhjes së targave janë konstatuar në qytetin e Durrësit, ndërsa kjo është një lëvizje e kriminelëve për të humbur gjurmët pas vjedhjes së makinave në një qytet dhe vendosjes së targave të një qyteti tjetër.

    Pothuajse në të gjitha ngjarjet kriminale të fundit automjetet e vjedhura i përkasin një tjetër qyteti ndërsa targat nga qytete të tjera.

    E tillë ishte vrasja e Gjin Ndojit në Shkodër në Vaun e Dejës, në gusht të këtij viti. Mjeti i gjetur Benz ishte vjedhur në jug të vendit, ndërsa targat ishin kallëzuar si të vjedhura nga një vajzë në qytetin e Durrësit. Edhe ngjarjet e rënda në Elbasan përdorën të njëjtën metodë, ndërsa vjedhjet e makinave prej kohësh janë një nga veprat penale që nuk zbardhet nga policia.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!