×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Manastirliu: Vaksina anti-COVID do të jetë falas për qytetarët

    Reporteri
    27 Nëntor 2020 | 14:10

    Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur sot programin e vaksinimit kundër gripit falas për të gjithë edukatoret dhe arsimtarët në të gjithë vendin dhe njoftoi se po punohet “për të mundësuar që në momentin që vaksina e koronavirusit të jetë e disponueshme, Shqipëria të jetë në një linjë me vendet e tjera, për ta pasur vaksinën e sigurt, efektive dhe falas për të gjithë qytetarët”.


    “Jemi duke punuar për të siguruar të gjithë investimet e nevojshme dhe trajnimin e stafit për vaksinën anti-covid. Qeveria shqiptare është angazhuar nëpërmjet instrumentit COVAX dhe ka parapaguar 3.9 milionë dollarë për të siguruar vaksinën anti-covid për grupet e riskuara, për 20% të popullatës. Jemi duke punuar edhe me Komisionin Europian, por edhe me disa shtete të veçanta të Bashkimit Europian, për të mundësuar që, në momentin që vaksina të jetë e disponueshme, Shqipëria të jetë në një linjë me vendet e tjera, për ta pasur vaksinën e sigurt, efektive dhe falas për të gjithë qytetarët”, tha Manastirliu.

    Duke theksuar rëndësinë e vaksinimit kundër gripit në këtë periudhë të mbivendosjes edhe të virozave stinore, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh: “Edhe 230 mijë doza të vaksinës kundër gripit falas që kanë mbërritur dy ditë më parë janë shpërndarë në qendra shëndetësore, pjesë e sasisë prej 380 mijë vaksinash që qeveria i financoi falas, për të siguruar vaksinimin e sigurt të të moshuarve, të sëmurëve kronikë dhe grupet e tjera të riskut, mes të cilave edhe një kategori e ndjeshme për ne siç janë edukatoret dhe arsimtarët. Eshtë një moment i rëndësishëm për të kujtuar edhe njëherë të gjithë qytetarët që janë në grupet e riskut, për t’u lidhur me mjekun e familjes dhe për të bërë vaksinën kundër gripit falas në qendrën tuaj shëndetësore”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!