×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Mashtrimi me ushqimet do të dënohet me 10 vjet burgim në Shqipëri

    Reporteri
    02 Maj 2019 | 18:20

    Personat që shkelin sigurinë ushqimore dhe që ndryshojnë afatet e përdorimit të ushqimeve do të dënohen me 10 vjet burgim në Shqipëri.


    Kështu theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

    Kreu i qeverisë, duke iu referuar ndryshimit të disa neneve në Kodin Penal për sigurinë ushqimore, u shpreh se “siguria ushqimore është një sfidë e madhe për ne, për shoqërinë tonë, shumicën tonë qeverisëse dhe qeverinë tonë”.

    “Importimi, prodhimi, ruajtja, ofrimi për shitje, shitja apo vendosja në qarkullim në ndonjë mënyrë apo tjetër e ushqimeve pijeve, lëndëve të tjera ushqimore, barnave si dhe futja në prodhim e kimikateve e materialeve dhe lëndës shtesë në përpunimin dhe prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë dhe pijeve do të dënohet me burgim. Pastaj sasinë e dënimit, unë personalisht nuk jam dakord, se më duket shumë e vogël. Ta diskutojnë këtë komisionet dhe grupet e interesit”, nënvizoi Rama, shkruan Ksp.

    Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se kur kjo vepër është kryer në bashkëpunim më shumë se një herë ose kur nga kjo vepër rezulton të jetë kërcënuar apo dëmtuar shëndeti i personit, burgimi do të jetë deri në 10 vjet.

    “E njëjta gjë për të gjitha prodhimet ushqimore jashtë afatit të përdorimi të tyre, është një problem i madh. E dimë shumë mirë që një lojë që vazhdon prej 30 vitesh që afatet e përdorimit të produkteve ushqimore shkelen, nuk ia ka borxh asnjë familje, asnjë fëmijë kësaj qeverie, kësaj shumice, kësaj politike që të rrijë të bëjë sehir dhe nga ana tjetër nuk ka sjellë asnjë zgjidhje sistemi i punës që është ndërtuar gjithë këto vite duke gjëmuar nga mbrapa tek për tek duke vendosur gjoba e negociuar gjoba me individë apo subjekte të tilla. Edhe kjo është një vepër që parashikohet të dënohet deri në 10 vjet burg”, theksoi Rama.

    Sipas tij, mashtrimi me produktet ushqimore hyn po ashtu në veprat penale.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!