×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Nënë Sade tregon historinë emocionuese: Si u martova në djep, djali më lindi e vdiq në mal

    Reporteri
    11 Gusht 2020 | 14:01

    Sade Aliçka është një banore e fshatit Dukat të Vlorës.


    Sot është 92 vjeçe, por nënë Sade tregon për “Ora Verore” me gazetaren Albana Caushaj, se fati i saj i martesës është vendosur që kur ka qenë në djep, sipas traditave të zonës asokohe. Nëse Sadja u përshtat shpejt me kameran dhe tregoi detaje nga jeta e saj për RTV Ora.

    “Babai i burrit dhe babai im ishin shok që të rinj dhe kur gratë e tyre ishin shtatzënë ata thanë që nëqoftëse lindin një djalë një vajzë ne do bëhemi krushqinj. Kur lindëm ne u bë krushqia. Kur u rritëm, u fejuam dhe më sollën një shami.

    Kur u martova isha 17-vjeç. Para se të martoheshim, ne nuk njiheshim fare, se ashtu ishte koha. Kur ai më dilte para, unë fshihesha. Nuk i dilja në sy.

    Nëna e baba më vdiqën e më bëri nuse vëllai. Hipa në kalë dhe erdha tek kjo shtëpi me një cipull në fytyrë para e bardhë, mbrapa e kuqe me pasqyrë mbi kokë. Kështu u bë dasma, isha e bukur dhe e mirë. Qëndrova një vit pa bërë fëmijë, pastaj ma morën burrin ushtar. Më dërgonte letra, por unë nuk kam bërë shkollë fare dhe nuk dija t’i lexoja.

    Më la me bagëtinë ai dhe iku. Nuk më tha as shiti asgjë. Unë i mbajta vetë rreth 100 kokë për dy vite. I kam mbajtur vetë, vetë kam dalë malit me to, vetë i mjelja. Kur erdhi burri e gjeti malin plot. Më pas ai i mori i shiti gjysmat e dhive në Vlorë. Që atëhere i vuri xhepit para. Burri më ka dashur shumë.

    Bëmë 7 fëmijë. Djali i parë vdiq. Në mal lindi në mal vdiq se nuk vija dot në shtëpi. Burri ndërkohë ishte ushtar. Pastaj bëra të tjerët, bëra plot, 5 djem dhe 1 vajzë.

    Kam një shtëpi, zgjohem në sabah, pi një kafe, laj, fshi. Mbledh gjëra nëpër baçë, vadit domatet dhe qepët. Në orën 12 shkoj brenda, ha buke dhe bie fle”, ka shprehur 92-vjeçarja, e cila pavarësisht moshës është majft e fortë dhe e shëndetshme.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!