×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Nga e hëna në Shqipëri fillon testimi i shpejtë antigen, janë siguruar 100 mijë teste

    Reporteri
    04 Dhjetor 2020 | 19:58

    Duke filluar nga e hëna, në Shqipëri do të nisë testimi i shpejtë antigen, fillimisht në Tiranë. Në një dalje për mediat ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se vendi ka siguruar 100 mijë teste, të njohura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.


    “Ashtu siç e kemi thënë dhe paracaktuar në strategjinë tonë të vjeshtë-dimrit në funksion të kufizimit të përhapjes së infeksionit, u morën të gjitha masat në kohë për përfshirjen e testimit të shpejtë të antigenit.

    Kemi siguruar në kontratën e parë 100 mijë teste të shpejta të antigenti, teste të cilat janë të njohura nga OBSH dhe tashmë janë të disponueshme Shqipëri gati për t’u vendosur në dispozicion të testimit diagnostik dhe hetimit epidemiologjik. Testimi i shpejtë do të nisë nga dita e hënë, fillimisht në Tiranë dhe do të jenë epidemiologët që do ta kryejnë atë në kuadër të hetimit epidemiologjik, në vatrat e evidentuara që do të vlerësohen prej tyre si me rëndësi kyçe në transmetimin e infeksionit”.

    Në fazën e parë, pra nga dita e hënë deri në datë 20 dhjetor, testimi i shpejtë do të kryhet nga epidemiologët dhe do të jetë i disponueshëm në të gjithë njësitë vendore të kujdesit shëndetesor dhe më pas do të kryhet edhe në disa pika të caktuara të ofrimit të kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin.

    “Testi i shpejtë do të fillojë menjëherë nga epidemiologët në Tiranë dhe më pas në rrethe. Ndërsa pas 20 Dhjetorit, testimi i shpejtë do të shtrihet edhe në disa pika testimi të përcaktuara në disa qendra shëndetësore në Tiranë dhe më pas, sipas një kalendari, edhe në disa struktura të kujdesit shëndetësor në rrethe. Planifikimi për testimin e shpejtë të antigenit do të bëhet nga mjeku i familjes, sipas fashave orare të sistemit të ekzaminimit elektronik, gjë që lehtëson organizimin, shmang grumbullimet dhe siguron parametrat e kërkuar të mbrojtjes së shëndetit.

    Pikat e testimit, do të bëhen të njohura në ditet në vijim dhe do të mbulojnë një numër të caktuar banorësh sipas ndarjes gjeografike. Nga 20 Dhjetori, testet e shpejta të antigenit do të vihen në dispozicion edhe të spitaleve rajonale për rastet e urgjencave të dyshuara, përpos testimit me metoden klasike te PCR”, tha Manastirliu.

    Testi i antigenit që është siguruar është thuajse 100% efektiv, deklaroi drejtuesja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, prof. Silva Bino.

    “Mund të ketë edhe teste të tjera të shpejta por nuk identifikojnë antigenin. Pra, kjo është e rëndësishme. Ky test përdoret për qëllime diagnostifikuese. Ajo çfarë është e rëndësishme tjetër është se ky test duhet të kryhet atëherë kur kemi një ngarkesë virale të lartë, brenda 5 ditëve të para të sëmundjes. Nëse do të kemi një person përtej 5 ditëve të para, atëherë do të bëhet testi PCR. Ka një efikasitet gati 100%.

    Kjo e afron atë me PCR dhe nuk ka nevojë të përsëritet. Përgjigjet merren brenda 30 minutave dhe kjo është një lehtësi shumë e madhe për hetimin epidemiologjik në kohë reale. Po kryhen trajnime në lidhje me testin, i cili është i njohur nga OBSH dhe i aprovuar nga Agjencia e Kontrollit të Barnave dhe Ushqimeve në SHBA“.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!