×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Një familje e tërë helmohen 10 minuta pasi konsumuan ushqimin

    Reporteri
    11 Prill 2019 | 15:05

    Mungesa e kushteve të tregtimit dhe kontrolleve të njësive tregtare apo bizneseve të ndryshme është bërë evidente pas rastit të helmimit të pesë anëtarëve të një familjeje nga fshati Turan i Tepelenës. Një tregtar ambulant i produkteve të detit duket se është bërë shkak për helmimin e anëtarëve të familjes Dervishi.


    Ngjarja ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të martës, pikërisht gjatë konsumimit të darkës familjare. Nusja e shtëpisë, 38-vjeçarja Gentjana Dervishi, tregon se vetëm 10 minuta pasi kishin ngrënë darkë, anëtarët e familjes Dervishi dhe një mysafir kanë shfaqur shenja helmimi.

    Ata janë dërguar fillimisht në Spitalin e Tepelenës, ndërsa më pas janë transportuar në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore. Mjekët pohojnë se 77- vjeçarja Metulla Dervishi u paraqit në Spitalin e Gjirokastrës me gjendje të rënduar shëndetësore.

    Ajo ndodhet në reanimacionin e këtij spitali, ndërsa anëtarët e tjerë të familjes dhe miku i tyre po hospitalizohen në pavijonin e Patologjisë. Mjekët e Spitalit të Gjirokastrës thonë se po bëhen analiza për të përcaktuar shkaqet e helmimit, ndërsa familjarët e të helmuarve thonë se tregtarët ambulantë të peshkut janë të zakonshëm në fshatrat e zonës.

    “Vijnë shpesh në fshat. Nga dëshira që kemi, ne blejmë dhe ja si përfundojmë. Më mirë të mos hamë fare peshk sesa të helmohemi kështu” shprehen ata. Ngjarjes që mund të kishte rezultuar fatale, i shpëtuan dy fëmijët e tjerë të familjes, të cilët nuk kanë konsumuar peshk, por vetëm supën e shtëpisë. Policia e Gjirokastrës po kryen hetime për ngjarjen, ndërsa ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar.

    Tregtarët ambulantë që tregtojnë produktet e tyre nëpër zonat rurale janë një fenomen i zakonshëm për më shumë se dy dekada. Shpesh, ata mbeten jashtë çdo kontrolli të institucioneve që kanë për detyrë kontrollin e produkteve.

    Padituria e banorëve të zonave të thella malore, kryesisht për produktet e detit, ka rezultuar jo rrallëherë me intoksikim të banorëve, raste të cilat përgjithësisht kanë kaluar në heshtje./panorama

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!