×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Një mal me akuza, por gjyqtari ia hoqi një nga një: Si shkoi lirshëm Elton Metaj drejt ekzekutimit të Sabrinës

    Reporteri
    11 Shtator 2021 | 13:54

    Ndërhyrje avokatësh për lehtësim të dënimit, dorë e lehtë gjyqtari dhe mungesë kujdesi nga familjarët. Kjo duket të jetë rruga që ka çuar në krimin e mbrëmshëm në Fier, ku Elton Metaj ekzekutoi me armë ish-bashkëshorten e tij Sabrina Bengaj edhe pse kjo e fundit kishte urdhër mbrojtje prej një viti.


    Pas marrjes peng të Sabrinës dhe familjes së saj nga Elton Metaj shtatorin e vitit të shkuar, ku u detyrua që të shkonte RENEA për të shmangur tragjedinë, çifti u divorcua, ndërsa gjykata vendosi t’i japë urdhër mbrojtjeje 23-vjeçares.

    Sipas vendimit të dhënë nga gjyqtari Alfred Konomi, Sabrina Bengaj kishte urdhër mbrotjeje nga 14 tetor 2020 deri në 14 tetor 2021.

    Ky vendim nuk e ndali aspak Metajn të shkonte i armatosur në shtëpinë e ish-bashkëshortes, me të cilën kishte një fëmijë, duke e ekzekutuar atë në sy të familjarëve.

    Por çfarë ndodhi që Metaj të shëtiste i lirë edhe pse kishte një mal me akuza mbi supe?

    Pasi mori peng familjen Bengaj dhe u arrestua nga RENEA, Metaj qendroi në paraburgim për disa muaj. Në mars të këtij viti, gjyqtari Piro Sota vendosi fillimisht që Metaj të merrte mjekim të detyruar në një spital psikiatrik, ndërsa iu rrëzuan akuzat për veprat penale ‘Dhunë në familje’, ‘Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’.

    Po i njëjti gjyqtar, vendosi në 26 korrik të këtij viti të zëvendësojë vendimin nga “mjekim i detyruar në një institucion spitalor” në “mjekim i detyruar ambulator” nën kujdesin e babait të tij.

    Pas kësaj, Metaj filloi të shëtiste lirshëm në Fier edhe pse më pak se një vit më parë kishte terrorizuar një familje duke qëlluar me armë, madje edhe duke i marrë peng ata.

    Për arsye ende të paqarta gjyqtari Piro Sota e liroi 31-vjeçarin nga akuzat e rënda, i cili nuk humbi kohë, por pak javë më pas mori automatikun duke ekzekutuar ish-bashkëshorten 23-vejçare.

    Ky është një tjetër rast kur mosfunksionimi i institucioneve të drejtësisë çon në një tragjedi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!