×
  • Lajme
  • Shqipëria

    “Nuk luajmë nga këtu” – pushuesit qëndrojnë në plazhin e Vlorës edhe pas të shtënave me armë

    Reporteri
    22 Korrik 2021 | 14:06

    Pavarësisht të shtënave me armë që u regjistruan mesditën e sotme në plazhin e Zvërnecit në Vlorë, pushuesit kanë zgjedhur që të mos largohen nga bregdeti, ndërsa ka prej tyre që e konsiderojnë normale atë që ka ndodhur.


    “Ne ishim duke u larë në thellësi, dëgjuam krisma armësh, kur erdhëm këtu nuk pamë asgjë. Na shqetësoi, si nuk na shqetësoi, shkuam për të parë mos na kishin goditur makinat. Nga plazhi nuk luajmë ne, vetëm po na qëlluan ne me armë”.

    “Policia u sos për 3-4 minuta, ne dolëm menjëherë nga deti, shteti është në rregull, ne ndihemi shumë të sigurt, kjo mund të ndodhë në çdo vend të botës. S’ka pse të bëhet e madhe”.

    “Dëgjuam të shtënat, ishim në det, kur dolëm pamë ata që bridhnin vërdallë. E frikshme është o ti, po qëndruam këtu”.

    Detaje të reja janë zbuluar nga të shtënat me armë në plazhin e Zvërnecit, të shënuara në Vlorë paraditen e sotme.

    Gazetarja Afrovita Hysaj raporton nga vendngjarja se ka qenë pronari i një plazhi privat, shtetasi Luço Rroko, 42-vjeç, ai i cili ka qëlluar në ajër pas një konflikti me disa persona të tjerë.

    42-vjeçari është konfliktuar me fjalë me disa persona të cilët tentuan të kalonin me kuaj në zonën e plazhit ku ai ushtronte aktivitetin e biznesit të tij.

    Debati ka agravuar deri në përdorimin e armës nga pronari, i cili pasi ka shtënë në ajër është larguar me shpejtësi nga vendngjarja me motor.

    Fatmirësisht prej të shtënave nuk ka patur asnjë person të lënduar, por ato kanë shkaktuar panik dhe frikë në radhët e turistëve të gjendur në plazhin e Zvërnecit. Policia dhe grupi hetimor po vijon punën për kapjen e autorit dhe identifikimin e personave të përfshirë në konflikt.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!