×
  • Lajme
  • Shqipëria

    PD denoncon rrugën Milot-Fier: Shqiptarët do të paguajnë 17.4 euro për një udhëtim

    Reporteri
    23 Nëntor 2020 | 13:47

    Partia Demokratike ka denoncuar sot koncensionin e rrugës Milot-Fier, duke e konsideruar një masakër financiare për qytetarët, të cilët do të paguajnë 17.4 euro për një udhëtim. Në një deklaratë për mediat, nga selia blu, Enkelejd Alibeaj tha se kjo është vjedhja më e madhe e qeverisë në ikje, e planifikuar në kulmin e pandemisë.


    “Koncesioni është një masakër financiare për qytetarët. Qeveria në ikje kërkon që çdo automjet që kalon në këtë rrugë, të paguajë të paktën 17.4 euro për një udhëtim vajtje-ardhje. Kjo është vjedhja më e madhe e qeverisë në ikje, e planifikuar në kulmin e pandemisë. Kostot e rrugës janë shumëfishuar për të rritur çmimin e kalimit të udhëtarëve. 17.4 euro për një udhëtim në një rrugë ku më shumë se gjysma është e ndërtuar me para publike, do të thotë vetëm nxitim për mbyllje pazari”.

    Sipas Alibeajt, projekti me çmimin stratosferik 1.2 miliardë euro, ka vetëm një ofertues dhe është i destinuar të dështojë. Ai tha se kryeministri Rama dhe ministrja Balluku nuk i janë përgjigjur pyetjeve të opozitës, se pse në garë ishte vetëm një kompani.

    “Në zyrat e qeverisë shqiptare këto ditë po përgatitet farsa e një tjetër koncesioni, i destinuar të dështojë. Rruga Milot-Fier, me çmimin stratosferik 1.2 miliardë euro, ka vetëm një ofertues dhe kjo është është kompania greke Terna. Ka shkuar pikë për pikë siç e kemi parashikuar ne, që në shkurt, akoma pa u hapur tenderi farsë. Belinda Balluku nuk iu përgjigj atëherë pyetjes se çfarë e lidh me kompaninë greke. As sot nuk është në gjendje të shpjegojë pse vetëm kompania greke mori pjesë në tenderin që ajo dhe Edi Rama e shpallën me bujë të madhe disa javë më parë. Ky projekt korruptiv, që rëndon akoma më shumë xhepat e shqiptarëve nuk ka për të sukses! Është një aferë që ka për të dështuar”.

    Alibeaj i bëri thirrje kompanisë të tërhiqet nga ky projekt, pasi Partia Demokratike nuk do të njohë asnjë vendim të marrë nga qeveria 12 muaj para zgjedhjeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!