Policia jep detaje zyrtare për ezkutimin e 71-vjeçarit: Kjo është mburoja e RENEA-s e copëtuar nga plumbat

Pas 5 orësh negociata që 71-vjeçari Lefter Zhidru të vetëdorëzohej, RENEA ndërhyri duke shpërthyer derën e të moshuarit, por shpërthimit të grupit negociator ai iu përgjigj duke hapur zjarr. Në këto kushte, kur rrezikoi seriozisht jetën e forcave speciale RENEA, ata u kundërpërgjigjen dhe ekzekutuan të moshuarin.


 

Pas ngjarjes ka reaguar Policia e Shtetit ku sqaron rrethanat e ekzekutimit të 71-vjeçarit. Në fotot e publikuara nga Policia shihet qartë një prej mburojave të RENAS e mbushur me plumba.

Pas ngjarjes në shtëpinë e 71-vjeçarit ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, një sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe me lëndë plasëse të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim.


Njoftimi i plotë i policisë:

Në vijim të informacionit të dhënë për sulmin me armë mbi forcën e posaçme “Shqiponjat” të DVP Elbasan, nga shtetasi Lefter Zhidru, 71 vjeç, ju informojmë se:

Pas 5 orë negociatash, fillimisht nga Policia Vendore e Elbasanit dhe më pas nga grupi negociator i Renas dhe i grupeve taktike të Reneas me shtetasin Lefter Zhidru, për t’u dorëzuar, ky shtetas nuk i është bindur në asnjë çast thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar, por ka reaguar me armë ndaj grupit negociator dhe grupeve taktike të Reneas që po negocionin me të.

Ndodhur në kushtet e mosbindjes për t’u dorëzuar, forcat speciale Renea kanë ngushtuar rrethimin e banesës ku ndodhej 71-vjeçari.

Shtetasi Lefter Zhidru, kur ka parë që forcat Renea po i afroheshin derës së banesës, ka hapur përsëri zjarr në drejtim të Policisë.

Në kushte të larta sigurie për jetën e punonjësve të Policisë, Renea i ka bërë përsëri thirrje për të hapur derën dhe t’i dorëzohej Policisë, por përsëri 71-vjeçari ka reaguar me armë dhe në këto kushte Renea ka shpërthyer derën për të hyrë në banesë.

Në momentin që forcat speciale Renea po ndërhynin në banesë 71-vjeçari ka sulmuar përsëri me breshëri plumbash Forcat Renea duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre, por falë mburojës metalike kolektive nuk është lënduar ansjë punonjës i Reneas.

Në kushtet e vetëmbrojtjes forcat speciale Renea i janë kundërpërgjigjur më zjarr dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit, 71-vjeçari ka mbetur i vrarë.

Grupi Hetimor, nën drejtimin e prokurorit, ndodhet në vendngjarje dhe në banesën e 71-vjeçarit ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, një sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe me lëndë plasëse të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim.